Ekskluzive: FIFA ia zhbllokon merkaton Drenicës - NACIONALE

Ekskluzive: FIFA ia zhbllokon merkaton Drenicës

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

FIFA – shtëpia e futbollit botëror – ia ka zhbllokuar merkaton Drenicës, duke i hapur rrugë klubit për regjistrimin e lojtarëve të rinj në prag të fillimit të sezonit të ri në Superligë.

Gazeta Nacionale e ka parë letrën që FIFA ia ka dërguar Drenicës, përmes së cilës e njofton se merkato verore i është zhbllokuar dhe se ajo është e lirë të blejë dhe të regjistrojë lojtarë.

Organi qeverisës i futbollit botëror ia kishte ndaluar klubit nga Skenderaj për rreth dy muaj regjistrimin e lojtarëve të rinj, për shkak të borxhit ndaj futbollistëve dhe ish-futbollistëve dhe Drenica kishte kohë vetëm deri sot në mesnatë për të arritur marrëveshje për heqjen e ndalesës.

Pas shlyerjes së një pjesë të borxhit dhe marrëveshjes për larjen e pjesës tjetër të borxhit më vonë, FIFA vendosi t’ia heqë ndalesën Drenicës, një javë pa nisur sezoni i ri në Superligë.

“Ne jemi njoftuar nga se Kreditori e ka pranuar borxhin e paguar nga KF Drenica, në përputhje me vendimin e marrë nga FIFA.... prandaj, ne ju njoftojmë se procedura është mbyllur, prandaj ndalesa e merkatos është hequr”, thuhet në letrën e FIFA-s dërguar Drenicës.

Kjo nënkupton se Drenica mund të blejë dhe regjistrojë lojtarë të rinj deri në mbylljen e afatit kalimtar të verës më 1 shtator.

Drenica – e cila do ta nisë sezonin e ri në Superligë të dielën më 14 gusht në udhëtim te Llapi – kishte menduar të hiqte dorë nga garat për këtë arsyeje.

Por klubit nga Bajram Aliu, që sezonin e kaluar e siguroi mbijetesën në elitë në ditën e fundit të sezonit, tani i është hapur rruga për zhvillimin e një fushate të re normale.

Borxhi i Drenicës ndaj futbollistëve dhe ish-futbollistëve kapte shifrën e 144 mijë eurove, por një pjesë e këtij borxhi është shlyer tashmë.

Drenica dhe pesë klube të tjera kosovare u përballën me ndalesë merkatoje nga FIFA këtë verë, përfshirë Prishtinën dhe Llapin nga Superliga.

Lajme të ngjashme