E pranon Ancelotti: Barcelona është duke e ndërtuar njê skuadër fantastike - NACIONALE

E pranon Ancelotti: Barcelona është duke e ndërtuar njê skuadër fantastike

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka filluar që të përgatitet për sezonin e ri, duke bërë shumë ndryshime, mes largimeve dhe afrimeve të reja. Andaj, edhe Ancelotti ka paralajmëruar se katalonasit do të jenë konkurues.

Një reformim i tërë po ngjan te kampi blaugrana, me Laporta dhe Xavi që po punojnë vazhdimisht për të sjellur lojtarë të rinj, të cilët do ta bëjnë dallimin në skuadër.

Tre sezone pa fituar titullin kampion në Spanjë. Në Evropë zhgënjime të njëpasnjëshme. Kjo nuk ishte Barcelona që ishim mësuar ta shohim.

Për më shumë, edhe Lionel Messi u largua nga skuadra gjatë verës së kaluar, sa për ta konfirmuar një mallkim që ishte duke filluar.

Megjithatë, gjërat kanë filluar të lëvizin gjatë këtij afati kalimtar, pasi reparti sulmues është përforcuar shumë me blerjet e Raphinha dhe Lewandowskit. Kështu, ata mendohet se do të jenë ndër favoritet kryesorë për t'i fituar trofetë e brendshëm në Spanjë.

Ancelotti paralajmëron se Barcelona po ndërton skuadër fantastike

Rivali më i urryer i Barcelonës mbetet Real Madridi. Klubi madrilen gjatë këtyre viteve ka arritur ta ruajë stabilitetin finaciar në masë të madhe, e bashkë me të edhe etablimin e sukseseve tjera, si në La Liga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

Gjatë kësaj periudhe, u venit paksa rivaliteti i madh me Barcelonën, falë rënies drastike të këtyre të fundit.

Megjithatë, organizimi që po bën skuadra e Xavi Hernandez, ka bërë që edhe në kampin madrilen ta pranojnë se do ta kenë një antagoniste të fortë në kampionat.

"Janë duke e ndërtuar një skuadër fantastike, por unë mendoj vetëm për skuadrën tonë. Më duhet të jem i përqendruar te lojtarët e mi dhe të mos i shoh të tjerët", deklaroi Ancelotti në fund të ndeshjes miqësore kundër Juventusit, ku Real Madridi triumfoi me rezultat 2:0.

Real Madrid ka humbur ndeshjen e parë kundër Barcelonës, me rezultat 0:1, gjatë javës së kaluar, anipse ishte e karakterit miqësor.

Barcelona më aktive në afatin kalimtar sesa Real Madrid

Deri më tani Barcelona ka shpenzuar 153 milionë euro në kuadër të kampanjës që është duke zhvilluar për të afruar lojtarë cilësorë. Afrimet e lojtarëve si Raphinha, Kounde, Lewandowski, Kessie dhe Christensen - kanë bërë që të rikthehet edhe entuziazmi rreth skuadrës nga futbolldashësit dhe tifozët e saj.

Njashtu, edhe Real Madrid nuk është se ka qëndruar duarkryq në këtë afat kalimtar veror. Tchouameni ka qenë investimi më i rëndësishëm i madrilenëve, pasi kanë paguar plot 80 milionë euro për t'i siguruar shërbimet e mesfushorit 22-vjeçar francez.

Anipse u sigurua në parametra zero, nuk mund të zhvlerësohet edhe pesha e afrimit të Rudiger, meqë bëhet fjalë për një mbrojtës që ka bërë dallimin te Chelsea dhe gjatë viteve të fundit ka shënuar një zhvillim progresiv.

Lajme të ngjashme