Real Madridi e kontakton Chelsean për Armando Brojën - NACIONALE

Real Madridi e kontakton Chelsean për Armando Brojën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Real Madridi është futur në garë për sulmuesin e shumëkërkuar shqiptar të Chelseat, Armando Broja.

Përfaqësuesi i Shqipërisë e kaloi sezonin e kaluar në huazim te Southamptoni, ku mahniti duke i shënuar nëntë gola.

Sipas gazetës britanike Evening Standard, Real Madridi është duke kërkuar t’i largojë disa prej sulmuesve të vet dhe shpreson të sjellë në klub disa sulmues të rinj për sezonin e ri.

Broja, një sulmues premtues 20-vjeçar, i plotëson kushtet dhe është në mesin e synimeve të gjigantit spanjoll.

Klubet e Premierligës, si Evertoni, Newcastle Unitedi dhe West Hami e kanë vëzhguar Brojën gjithë verën.

Në fillim të verës u duk se trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ishte i hapur ta linte Brojën të largohej në huazim apo përherë, pas interesimit të madh që kishte shfaqur rivali londinez, West Ham.

Megjithatë, duket se Tuchel e ka ndryshuar mendjen dhe tani sulmuesi shqiptar, i lindur në Slough të Londrës, do të jetë pjesë e skuadrës së Chelseat për fillimin e sezonit të ri.

“Nuk pres që ai të largohet. Ne jemi të vetëdijshëm për interesimin dhe ofertat, të cilat tregojnë se sa shumë potencial ka ai. Pronarët dhe unë do ta marrim vendimin së bashku në fund, në bashkëpunim me lojtarin po ashtu”, ka thënë Tuchel.

“Kur u kthye nga Southamptoni ai e kishte të qartë se duhej ta bënte hapin e radhës, ta shfaqte përmirësimin e bërë dhe të lërë mbresa në ndeshjet parasezonale”, shtoi ai.

Chelsea e largoi Romelu Lukakun dhe e ktheu në Inter këtë verë, ndërsa Raheem Sterling iu bashkua klubit si përforcimi i rëndësishëm në sulm, por Chelsea nuk e ka blerë asnjë qendërsulmues dhe kjo mund të bëjë që Broja të mbetet në klub.

Ndërkohë, Karim Benzema do t’i mbushë 35 vjet në dhjetor dhe Reali duhet të mendojë për jetën pas francezit.

Lajme të ngjashme