Xavi: Dua ta shoh prapë Messin te Barcelona, rikthimi i tij është ide e klubit për sezonin e ardhshëm
Barcelona nuk e ka ndërmend të ndalet në vazhdën e riorganizimit që po bën. Gjatë ditëve të fundit janë shtuar zërat për një rikthim të bujshëm të Leo Messit.
Sulmuesi argjentinas, Leo Messi, ka qenë lojtari i cili Barcelonës i ka sjellë çdo gjë: gjitha trofetë e mundshëm, shfaqjen më sublime si futbollist që është parë ndonjëherë në Camp Nou dhe tërheqjen magnetike të miliona ndjekësve në botë për t'u dashuruar edhe më shumë me filozofinë e lojës së klubit katalonas.
Natyrisht, historia e Barcelonës nuk ka filluar me Messin, por ajo nuk do të ishte e njëjtë pa të. Sukseset e klubit dhe vetë mënyra se si ka ardhur deri te ai stad - pa sulmuesin argjentinas 35-vjeç do të ishin të paimagjinueshme.
Ndarja e tij e dhimbshme me Barcelonën gjatë verës së kaluar, shënoi një rënie të dyanshme. Shkëlqimi më nuk ishte i njëjtë as i vetë atij që u transferua te PSG, por as i Barcelonës, e cila mbeti gjysmake, pa identitet dhe pa embrionin e saj kryesor.
Xavi pranon se e dëshiron prapë Leo Messin në skuadër
Nëse Leo Messi ishte arkitekti më i madh i sukseseve të Barcelonës gjatë mileniumit të fundit, një meritë e posaçme dhe e rëndësishme mund t'i atribuohet edhe Xavi Hernandezit.
Dikur bashkëlojtar i 35-vjeçarit, ndërsa sot është në cilësinë e trajnerit të skuadrës. Edhe në këtë pozitë, Xavi thotë se do të dëshironte që ta kishte sërish në radhët e skuadrës Leo Messin.
"Një gjë e tillë është ide e klubit, por jo për këtë sezon. Natyrisht, do të dëshiroja që mos të mbaronte në këtë formë (historiku i Messit me Barcelonën). E meriton një mundësi të fundit për të dëshmuar që është lojtari më i mirë në histori të futbollit. Dua ta rishoh në skuadër", theksoi Xavi për mediet spanjolle.
Vështirësitë te PSG dhe fokusi te Botërori
Leo Messi më 10 gusht të vitit të kaluar iu bashkua parisienëve si lojtar i lirë, pasi nuk arriti që ta rinovonte kontratën me Barcelonën. Ai nënshkroi kontratë një-vjeçare, me mundësi të rinovimit edhe për një sezon tjetër.
Për shumë veta, sezoni i tij i parë me PSG ka qenë dëshpërues, pasi nuk ka arritur që t'i shënojë golat e njëjtë siç bënte dikur me fanellën e blaugranëve. Te kampioni francez, Leo Messi pati një mesatare prej një goli në tri ndeshje - që është dukshëm më e ulët sesa ajo çfarë ka demonstruar ndër vite.
Tani, vëmendja e tij kryesore është e koncentruar te Kupa e Botës, e cila zhvillohet në një periudhë të pazakontë, respektivisht gjatë dimrit, në Katar. Ky do të jetë rasti i fundit për yllin argjentinas që të stoliset me të vetmin trofe që i mungon, Botërorin, për t'u etabluar mandej si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave.

