Dybala: Fanella me numër 10 është e Tottit, por ndoshta do ta veshi një ditë - NACIONALE

Dybala: Fanella me numër 10 është e Tottit, por ndoshta do ta veshi një ditë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Paulo Dybala iu bashkua Romës, duke çuar në një delir të tërë tifozët e klubit kryeqytetas italian. Pavarësisht entuziazmit të lartë, nuk do ta veshë fanellën me numër 10.

Zyrtarizimi i kalimit të sulmuesit argjentinas te Roma erdhi tek sot. Ndër vite ka qenë njëri prej sulmuesve protagonistë në Serie A dhe pritshmëritë enorme të ndërtuar rreth tij janë të përligjura.

Dybala u bind që t'i bashkohej projektit të Romës tek pasi atë e mori drejtpërdrejt në telefon Mourinho. Këtë e ka pohuar edhe vetë lojtari në deklarimet e tij të para.

Numri 10 mbetet i paprekshëm te Roma

Që prej momentit kur Francesco Totti vendosi të pensionohej nga futbolli dhe ta përfundonte karrierën te Roma, numri 10 është tërhequr te klubi kryeqytetas italian.

Askush deri më sot nuk ka arritur që ta rrëmbejë fanellën me numër 10. Ndonëse u konsiderua si një transferim shumë i rëndësishëm, i një niveli që mungonte prej kohësh te skuadra e Romës, prapëseprapë numri 10 do të mbetet i paprekshëm, pasi Dybala ka zgjedhur numrin 21.

Këtë zgjedhje e ka shpjeguar dhe arsyetuar vetë ylli argjentinas, i cili nuk e ka mohuar faktin se një ditë do të dëshironte ta veshte edhe numrin 10, si pasaardhës i Francesco Tottit, i cili trajtohet si mit nga tifozët e Romës.

"Drejtori më ka propozuar që ta merrja numrin 10, por ai numër është shumë i rëndësishëm për njerëzit këtu, për vet atë çfarë ka bërë Totti. Ajo fanellë duhet të jetë akoma e tij.

"Unë e kam falënderuar për propozimin, pasi për ta veshur një fanellë me numër të tillë duhet të kesh respekt dhe përgjegjësi.

"Ndoshta një ditë do ta veshi, por sot jam i lumtur me numrin 21. Bëhet fjalë për një numër me të cilin jam i lidhur dhe me të cilin kam filluar të fitoj trofe"
, potencoi Dybala.

Atmosfera në "Olimpico" si në Argjentinë apo Brazil

Tutje, Dybala e ka vlerësuar në superlativ klimën dhe atmosferën që krijohet në stadiumin "Olimpico" të Romës, duke bërë një paralele interesante me vendet amerikano-jugore.

"Të luash në 'Olimpico' është sikur të luash në Argjentinë apo Brazil. Ndjesitë janë shumë të mira. Si rrjedhojë, të luash për Romën duhet të jetë e mrekullueshme.

"I falënderoj të gjithë tifozët për mesazhet e shumta që kam pranuar. Shpresoj që të mund t'i njoh së shpejti dhe të mund t'u jap shumë gëzime"
, përfundoi Dybala.

Lajme të ngjashme