Kumbulla kacafytet me sulmuesin e Sporting, Mourinho nuk ndalet së qeshuri
Roma sot e zhvilloi miqësoren e radhës kundër Sportingut, të cilën e humbi me rezultat 3:2. Por, tërë vëmendjen e mori një përleshje e Kumbullës me Edwards në pjesën e parë.
Do të duhej të ishte miqësore, por si e tillë nuk u trajtua gjatë tërë kohës. Më së miri e tregon një gjë të tillë minuta e 27-të, ku gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti në favor të Sportingut.
Për mbrojtësin e Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla, ishte vetëm një simulim i lojtarit kundërshtar dhe as që mund të bëhej fjalë për një 11-metërsh, pasi konsideronte se kontakti i Ibanez ndaj Edwards ishte i lehtë.
Pikërisht ky ishte rasti që bëri të krijohej një rrëmujë e vërtetë në fushë, me Marash Kumbullën që u pa teksa ishte shumë i nevrikosur me sulmuesin anglez Edwards. Të dytë nuk arritën që të përmbaheshin.
Mourinho nuk kurseu buzëqeshjen, gjersa Kumbulla kacafytej me Edwards
Duhet thënë se episode të ngjashme nuk shënohen shpesh në ndeshjet miqësore. Për këtë arsye ndoshta edhe Mourinho u kap nga kamerat duke qeshur, sa për ta shtensionuar paksa situatën.
Përleshja që u krijua në mes të dy skuadrave, shkaktoi një skenë të pakënaqshme. Buzëqeshja e Mourinhos ishte e nevojshme për t'ua rikujtuar të gjithëve, që megjithatë, ajo çfarë ngjante në atë moment ishte e tepërt për nivelin e ndeshjes çfarë luhej.
Ecja e Mourinhos drejt trajnerit të Sportingut, Ruben Amorim, duke vazhduar të buzëqeshte, riktheu një klimë miqësore mes të dy skuadrave.
Pas gjithë asaj tollovie të krijuar, Pedro Gonçalves shënoi nga pika e bardhë, për rezultatin 1:0 në minutën e 29-të.
Në fund të ndeshjes, Sporting fitoi me rezultat 3:2, ku golat për vendësit i shënuan Gonçalves 29', Inacio 53' dhe Tabata 86', kurse për Romën Inacio (autogol) 31' dhe Pellegrini 69'.
Dybala në tribunë
Dybala nuk u përfshi në ndeshjen e sotme miqësore, por ai ishte i pranishëm në stadium, ku e vëzhgoi paraqitjen e bashkëlojtarëve të tij të rinj nga tribuna, ku ishte i ulur afër drejtorit të klubit, Pinto.

Kalimi i Dybalas te Roma akoma nuk është bërë zyrtar. Diçka e tillë mbetet vetëm një formalitet i pakryer, sepse gjithçka tashmë ka përfunduar, me Romën që është pajtuar t'i paguajë 6 milionë euro si pagë vjetore sulmuesit argjentinas, gjë që ishte edhe kërkesë parësore e përfaqësuesve të tij.
Që nga transferimi i Batistutas, kalimi i Dybalas te Roma po shihet si më entuziasti që ka ndodhur te klubi kryeqytetas italian në mileniumin e fundit.
Shtypi italian mëson se ai do ta veshë fanellën me numër 21 dhe jo atë numër 10. Pra, nuk do të jetë pasaardhës i Francesco Tottit, i cili kishte veshur fanellën me numër 10 gjatë tërë karrierës së tij te Roma.

