Capello: Roma e Mourinhos është e ngjashme me atë timen që fitoi titullin e Serie A - NACIONALE

Capello: Roma e Mourinhos është e ngjashme me atë timen që fitoi titullin e Serie A

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Fabio Capello mbetet akoma sot trajneri që ia ka sjellë titullin e fundit kampion Romës. Ai është shprehur i ngazëllyer me afrimin e Paulo Dybalës.

Afrimi i Dybala ka ngjallë një entuziazëm të pashoq në kryeqytetin italian. Shihet si transferimi më i madh që ka ndodhur në Roma prej shumë kohësh.

Capello prej kohësh kishte shprehur qëndrimin e tij se Dybalën do ta shihte më së miri te Roma, për shkak se te Inter skema nuk do t'i përshtatej siç duhej.

Gjatë ditës së djeshme çdo enigmë përfundoi. Dybala arriti marrëveshjen me Romën për të qenë pjesë e saj.

Ishte vetë trajneri, Josë Mourinho, ai që bindi sulmuesin argjentinas për t'iu bashkuar projektit të tij.

Tërë këtë frymë të re të ndërtuar në Romë, Fabio Capello e sheh me një sy optimist, duke i lavduar edhe qasjen e Mourinhos dhe vetë ekipin që po ndërton.

Ngjashmëritë me Romën e Capellos që fitoi titullin

Gazetarët italianë e kanë pyetur ish-trajnerin e Romës, Fabio Capello, nëse sheh ndonjë ngjashmëri mes skuadrës që po e përgatitë Mourinho për sezonin e ri dhe asaj fituese që drejtonte ai dy dekada më parë.

"Krahasimi është logjik. Shoh shumë afinitete mes dy formacioneve. Mendoj që Mourinho, siç bëja edhe unë atëherë, do të mundohet që ta garantojë një ekuilibër në një skuadër që ka një potencial sulmues shumë të madh.

"Ajo Romë që drejtoja unë ishte e prirë që të sulmonte. Kishim Cafu dhe Candela si anësorë. Më nevojitej diçka mbrapa. Por, sa e bukur që ishte ajo Romë. Një skuadër e përsosur"
, deklaroi ai.

Dybala bën dallimin në Roma

Për Fabio Capellon, Paulo Dybala është lojtar i atillë, sa që mund ta bëjë dallimin te Roma.

"Do thoja që po, bën dallimin te Roma. Bëhet fjalë për një lojtar të madh. Është njëri prej atyre që bën dallimin. Rrit nivelin e skuadrës dhe ndryshon diçka në kampionatin tonë të Serie A.

"Dybala do të sjellë gola dhe asiste, do ta rrisë potencialin sulmues dhe mund ta ndërtojë me Zaniolo dhe Abraham një trinom fantastik, pa e harruar edhe Pellegrinin.

"Pastaj, nëse të telefonon personalisht Mourinho, është e vështirë të refuzosh", komentoi ai.

Kalimi i Dybalës te Roma akoma nuk është bërë zyrtare, por tashmë veç dihet se gjithçka është kryer. Zyrtarizimi është çështje orësh. Ai mësohet se e ka zgjedhur numrin 21. Ishte bërë një zhurmë e madhe nëse e meritonte ta veshte fanellën numër 10 të legjendës së klubit, Francesco Totti.

Por, në fund duket se Dybala së bashku me drejtuesit e klubin kanë zgjedhur një alternativë tjetër.

Lajme të ngjashme