Interi i kishte kërkuar edhe disa ditë kohë Paulo Dybalas
Interi i kishte kërkuar Paulo Dybalas të priste edhe disa ditë, por ai nënshkroi me Romën në ndërkohë, sipas mediave italiane.
Për sulmuesin argjentinas është përfolur tërë verën se do t’i bashkohej Interit, para se ai të arrinte marrëveshje me Romën të hënën.
Megjithëse kalimi i tij në Romë nuk është bërë ende zyrtar, Dybala udhëtoi drejt Portugalisë me drejtorin e verdhekuqve Tiago Pinto për t’i kryer testet mjekësore dhe konfirmoi se do t’i bashkohet skuadrës së Jose Mourinhos në kampin e tyre stërvitor atje.

Por sipas Gazzetta dello Sport, Interi po shpresonte deri në fund se Dybala do t’i bashkohej zikaltërve.
E përditshmja italiane shkroi të martën se drejtori i Interit Beppe Marotta i kishte kërkuar 28-vjeçarit të priste edhe disa ditë por, pas një bisede me trajnerin e Romës Jose Mourinho, diçka ndryshoi dhe kokën e sulmuesit dhe ai i kërkoi menaxherit të vet t’i ndërpresë bisedimet me zikaltrit dhe të bisedojë vetëm me klubin e kryeqytetit italian.
Dybala ka qenë lojtar i lirë këtë verë, pasi i mbaroi marrëveshja me Juventusin muajin e kaluar. Ai i bëri 293 paraqitje dhe i shënoi 115 gola gjatë shtatë sezoneve me bardhezinjtë.
Me Romën, ai do të nënshkruajë kontratë trivjeçare me pagë vjetore prej rreth 6 milionë eurove, përfshirë bonuset.

Dështimi i marrëveshjes me Juven dhe pritja e gjatë për Interin
Dybala ishte pajtuar në fund të vitit të kaluar për ta vazhduar kontratën me Juventusin, kur ishte në vitin e fundit të marrëveshjes, por gjërat ndryshuan në mars, pasi drejtuesit e zonjës së vjetër ndryshuan kushtet e marrëveshjes për të cilin ishin pajtuar.
Dybala nuk pranoi kushte të reja, përfshirë pagë më të vogël, prandaj i ndau rrugët me Juven.
Ylli argjentinas më pas arriti marrëveshje me Interit prej kohësh dhe pritej të vishej zikaltër, në fanellën e rivalit të Juventusit, para se Roma dhe Napoli të futeshin në garë për të seriozisht si pasojë e pasivitetit të Interit për ta kompletuar transferimin e tij.
Interi nuk ka qenë në gjendje të nënshkruajë me Dybalan, pavarësisht marrëveshjes së plotë mes palëve, për shkak të skuadrës së mbingarkuar, veçanërisht vijës së sulmit.
Skuadra e Simone Inzaghit i ka pesë sulmues me paga shumë të larta tani për tani, Romelu Lukaku, Lautaro Martinez, Edin Dzeko, Joachim Correa dhe Alexis Sanchez.
Prandaj, drejtuesit e Interit duhej së pari t’i largonin dy prej sulmuesve të tanishëm, flitej për Sanchez dhe Dzeko, për t’i bërë vend Dybalas.
Ata kanë dështuar ta arrijnë këtë deri tani dhe si pasojë Dybala nuk ka mundur të presë më dhe shkoi në Romë.