Debutoi dy javë më parë në Premierligë, Aro Muric vlerësohet me notën më të lartë te Burnley në barazimin me Chelsean - NACIONALE

Debutoi dy javë më parë në Premierligë, Aro Muric vlerësohet me notën më të lartë te Burnley në barazimin me Chelsean

1 muaj më parë

nga Vivianit Gërguri

Burnley me 10 lojtarë në fushë për pjesën më të madhe të ndeshjes e ndali me barazim 2:2 Chelsean dhe kjo u arrit për shkak të yllit kosovar Arijanet Muric, që u vlerësua më së larti në skuadër, si nga 'SofaScore' ashtu edhe nga 'WhoScored'.

Aro Muric debutoi në fitoren e skuadrës së tij ndaj Brentfordit dy javë më parë dhe ishte ylli i skuadrës, duke bërë disa pritje fantastike, që në fund ishin vendimtare për tre pikë.

Pas asaj paraqitje, Muric, u paraqit në dy miqësore me Kombëtaren e Kosovës, duke qenë në krye të detyrës, ndonëse u mposhtën në ndeshjen e dytë.

Vincient Kompany i besoi vendin e titullarit edhe sot, kjo për shkak të paraqitjes në debutim.

25-vjeçari nuk zhgënjeu, duke bërë paraqitje të jashtëzakonshme në Stamford Bridge, për çka ishte më meritori që skuadra e tij mori një pikë të artë, e vlefshme për luftën për mbijetesë.

Aro Muric i bëri 11 pritje në këtë përballje, tri nga të cilat ishin hedhje të larta. Ai luajti rol edhe në shpërndarje të topave te bashkëlojtarët, ku pati një saktësi të lartë në topat e gjatë si dhe në pasimet në përgjithësi, kurse pati edhe një ndërhyrje kruciale.

Këto të gjitha bënë që ai të vlerësohej me notë maksimale (10) nga 'SofaScore', aq sa u vlerësua edhe Cole Palmer i Chelseat që shënoi dy gola në këtë takim.

Uebsajti tjetër për matje të paraqitjes 'WhoScored' e vlerësoi me notë 8.7 që sërish ishte më e larta në skuadër, ndërsa sipas tyre vetëm Cole Palmer ishte më i mirë me notë 9.2.

Siç u cek më lartë, portieri i Kosovës ishte më i vlerësuari edhe në ndeshjen debutuese në Premierligë, me SofaScore që i dha notë 8.3, ndërsa WhoScored 7.9.

Me këto paraqitje, nuk do të ishte befasi nëse Kompany do t'ia besonte deri në fund të sezonit vendin e titullarit atij në vend të 21-vjeçarit anglez James Trafford, që u preferua në 28 ndeshje radhazi.

Lajme të ngjashme