U konsideruan 'të paaftë' për fazën vendimtare të kampionatit, gjyqtarët vendor ftohen për të gjykuar në gara evropiane
Nuk ua besuan ndeshjet më të rëndësishme të Superligës së Kosovës në Basketboll, por Federata njofton se gjyqtarët vendor janë ftuar për të ndarë drejtësinë në garat evropiane.
Tashmë ka filluar seria e gjysmëfinaleve, ku një marrëveshje si në sezonin e kaluar u arrit, me dy gjyqtarë të huaj dhe një vendor që do të ndajnë drejtësinë deri në shpalljen e kampionit.
E sot, FBK ka njoftuar se ata që nuk ishin të ‘aftë’ për drejtësi meritore në parket në basketbollin kosovar sipas tyre, do të gjykojnë ndeshje evropiane.
Xhelal Mumini do të gjykojë në FIBA U20 EuroBasket Division B për, që do të zhvillohet në Pitesti të Rumanisë. Ky kampionat zhvillohet nga 12 deri më 21 korrik.
Ngadhnjim Shabani do të gjykojë në FIBA U18 EuroBasket Division B, që zhvillohet në Shkup të Maqedonisë Veriore nga 26 korriku deri më 4 gusht.

Elldin Uglari do të gjykojë në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që zhvillohet në Prishtinë nga 25 deri më 30 qershor.
Uglari po ashtu do të gjykojë në U16 Women's EuroBasket, Division B që zhvillohet nga 15 deri më 24 gusht në Konja të Turqisë.
Amar Djekovic do të gjykojë në dy gara ndërkombëtare. Amari do të gjykojë në FIBA Kampionatin Evropian për U18 vajza, Divizioni C, që zhvillohet në Prishtinë nga 23 deri më 28 korrik, si dhe FIBA U16 EuroBasket Division C, që zhvillohet në Tiranë nga 9 deri më 14 korrik.
Kujtojmë se janë zhvilluar gjysmëfinalet e para në play-off të Superligës së Kosovës, ku gjyqtarët asistues nga Kosova patën paraqitje të denjë në këto dy ndeshje.