Gjashtë ndeshje në Premierligë për Aro Muric, në tri prej tyre lojtari i ndeshjes - NACIONALE

Gjashtë ndeshje në Premierligë për Aro Muric, në tri prej tyre lojtari i ndeshjes

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric, ka bërë një tjetër paraqitje fantastike për skuadrën e tij, Burnley. Ai tani në gjashtë paraqitje në Premierligë, tri herë ka fituar çmimin si lojtari i ndeshjes, me ndeshjen e sotme që bëri 10 pritje.

Burnley fitoi 4:1 në vizitë te Sheffield United, duke mbajtur gjallë shpresat për të mbijetuar këtë sezon, pasi gjenden në zonën e rrezikshme, përkatësisht në vendin e 19-të, me tre pikë larg vendit që siguron qëndrimin në sezonin e ardhshëm.

Arijanet Muric e filloi shumë mirë në tri ndeshjet e para, duke dhuruar paraqitje fantastike, sidomos në barazimin ndaj Chelseat, por në dy ndeshjet e fundit ai bëri gabime të tmerrshme.

Gaboi në humbjen ndaj Evertoni 1:0, duke qenë shkaktari kryesor i humbjes, ndërsa ishte fajtor edhe në barazimin e javës së kaluar ndaj Brightonit, por që pa atë gabim, në ndeshjen në tërësi u paraqit shumë mirë.

Pas dy ndeshjeve jo shumë të mira personalisht, ylli i Kosovës u kthye në figurën kyçe të skuadrës, duke bërë sot plotë 10 pritje ndaj Sheffield United, që ndihmuan pastaj skuadrën të fitonte me rezultat të thellë.

Aro Muric bëri 10 pritje në total në këtë ndeshje, duke mohuar gola të sigurt për vendasit, ku pati mesatare 1.7 gola të penguar.

Tetë pritje bëri me topat që erdhën në drejtim të portës, tri nga të cilat ishin hedhje të larta.

Ai luajti rol kyç edhe në lojën me këmbë ku bëri 21 pasime të gjata, 11 nga të cilat ishin të sakta, teksa hapi lojën në 12 raste të ndryshme, me aksione që u nisën nga këmbët e tij.

Krejt kjo paraqitje u vlerësua me notë shumë të lartë nga të gjithë, madje SofaScore e cilësoi si lojtar të ndeshjes,, ndërsa FotMob dhe WhoScored e vlerësuan të dytin më të mirin, pas Assignon që shënoi dhe asistoi.

Pamje nga paraqitja e tij e sot

Lajme të ngjashme