VIDEO: Për fije floku një vajzë e vogël i shpëtoi lëndimit, Drejtori Sportiv i Yllit thotë se personat që hodhën karrige nuk do të hyjnë më në palestër
Kemi qenë dëshmitarë të katër ndeshjeve fantastike në kuadër të gjysmëfinaleve në Superligën e Kosovës në basketboll, por sjelljet e pahijshme nga disa individë në tribuna kanë shkatërruar ambientin në secilën ndeshje.
Kjo ndodhi edhe në përballjen e dytë mes Yllit e Pejës në Suharekë, ku në përfundim të ndeshjes një tifoz nga tribuna lindore gjuajti me karrigë, me çka për fare pak nuk e dëmtoi një vajzë të vogël që po shikonte ndeshjen.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar Drejtorin Sportiv të Yllit, Egzon Fetiun për një pronocim rreth ngjarjes dhe dukurive negative që po përshkruajnë basketbollin vendor.
Fetiu fillimisht për Nacionale tha se bordi i klubit ka marrë vendime që asnjë tifogrup të mos jetë prezent në tribuna, deri në një vendim të ardhshëm.
"Vendimet e bordit të klubit për këto sjellje janë: Për momentin nuk do të lejohen asnjë nga tifogrupet të jenë të pranishme deri në vendimin e ardhshëm."
Drejtori sportiv ka paralajmëruar për masa të rrepta ndaj atyre që prishën imazhin e asaj ndeshje fantastike.
"Organet e rendit tashmë kanë nisur procedurat për identifikimin e tyre dhe besoj që shumë shpejt edhe do të publikohen emrat e tyre në rrjetet sociale të klubit, të cilët nuk do të lejohen më të hyjnë në palestër."
Fetiu tregoi se kishin biseduar me tifogrupin para ndeshjes, duke thënë se gjithçka ishte në rregull dhe kishin rënë dakord që mos të ketë asnjë eskalim të situatës.
"Ne para ndeshjes kemi biseduar me ata dhe gjithçka ka qenë në rregull me tifogrupin që mos të na eskaloj situata por ja që ndodhi."
I pyetur nga Nacionale se a po bën punë mjaftueshëm Federata e Basketbollit në luftën ndaj huliganizmit, Egzon Fetiu tha ata janë tërë kohën të gatshëm për të asistuar me ndihmë dhe se po bëjnë mjaftueshëm për parandalim të këtyre dukurive.
"Sa i përket FBK-së ata gjithmonë janë të gatshëm për të na asistuar për parandalimin e këtyre dukurive dhe po punojnë mjaftueshëm."
Federata u tregua e ashpër me gjoba për ndeshjet e para gjysmëfinale, në veçanti me Pejën që e dënoi me dy ndeshje pa praninë e tifozëve, dhe të motivuar nga kjo Nacionale e pyeti drejtorin sportiv, se si do t'i presin dënimet nga FBK.
"Në çfardo rrethana që vendos FBK, ne do të pajtohemi sepse besojmë në punën që po e bëjnë për parandalimin e huliganizmit në basketboll."
Kujtojmë se Komisioni i Garave tashmë ka marrë vendimin për ndeshjet e dyta, duke dënuar vetëm me gjobë prej 3100 eurove Yllin, dhe jo siç vepruan edhe me Pejën, që i dënuan me dy ndeshje pa praninë e tifozëve.