Qesharake, FBK e dënon Yllin vetëm me 3100 euro
Komisioni i Garave brenda FBK-së ka marrë vendimet për ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Superligës së Kosovës në basketboll, të cilat ishin mjaft qesharake, krahasuar me ato të ndeshjeve të para.
Dënimi më i madh i takoi Yllit, me total prej 3100 eurove, por që pothuajse për të njëjtën gjë Peja ishte dënuar me dy ndeshje pa praninë e tifozëve.
Ndeshja po shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme, kur në minutat e fundit u hodh një karrige nga ana lindore e tribunës ku gjendeshin Xhebrailat, çka detyroi ndërprerjen e ndeshjes për më shumë se 15 minuta, deri në zbrazje të asaj pjese.
Për këtë FBK e dënoi skuadrën vendase, Yllin, në total prej 2900 euro.
Neni 51.3 thotë se me 500 euro dënohet hedhja e gjësendeve të forta në fushë, të cilat mund të shkaktojnë lëndime të lehta.
Neni 51.4 thotë se me 700 euro dënohet hedhja e gjësendeve të forta në fushë, të cilat mund të shkaktojnë lëndime të forta.
Dënim tjetër për Yllin ishte sipas nenit 51.12 ku thuhet se largimi në teshatore pas vërejtjes së parë të gjyqtarit gjobitet me 1000 euro, ndërsa hedhja e mjeteve piroteknike në parket apo afëri të tij, që shkakton ndërprerje të ndeshjes, gjobitet me 700 euro.
Skuadra nga Suhareka u dënua edhe me 200 euro për mos-njoftim të paraqitjes së pesë lojtarëve të huaj 24 orë para fillimit të ndeshjes, duke çuar shumën në total prej 3100 eurove.
Pa dënime nuk shpëtoi as Peja, ndonëse pësuan vetëm individët.
Larry Thomas dhe Arian Qollaku u dënuan me nga 100 euro, Jimmy Hall u dënua me 200 euro, ndërsa trajneri Rami Hadar u dënua me 600 euro.
KG i FBK-së dënoi edhe Prishtinën për ndeshjen tjetër, duke e gjobitur me 500 euro për hedhje të mjeteve piroteknike.