Dardani i javës: Sahiti me paraqitjen e fundit demonstroi se i është bërë padrejtësi me mosftesën në kombëtare
Emir Sahiti ishte lojtari më i dalluar në fitoren e Hajdukut ndaj Varazdin në fundjavën që lëmë pas me rezultat 2:1. Ai gëzoi përgjithësisht një paraqitje tejet solide, përtej golit që shënoi, e që ishte kryevepër.
Sulmuesi kosovar, Emir Sahiti, ishte në agjërim golash në këtë fillim sezoni në Kroaci, edhe si rrjedhojë e disa lëndimeve në të cilat ka hasur sporadikisht, por fatmirësisht asnjëra nga to të rënda.
Gjatë paraqitjet së fundit ai ishte prej lojtarëve më aktivë të ekipit, duke përbërë një rrezik konstant për portën kundërshtare.
Edhe pse kishte më shumë minuta të luajtura se disa lojtarë tjerë konkurrues në pozitat e sulmuesve anësorë, ai u la jashtë listës së Kosovës për ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
Sido që të jetë, në ndeshjen e fundit ai tërësisht e bëri të qartë se përse iu bë një padrejtësi në këtë aspekt, gjithmonë nëse vlerësojmë nga konteksti se si vijnë para një grumbullimi të kombëtares lojtarët me formë, minuta të luajtura në ekipet përkatëse dhe me konkurrencën që ekziston.
Ta zëmë, Kosova vetëm një sulmues të djathtë natyral kishte në gatishmëri për dy ndeshjet: Milot Rashicën. Në të tilla rrethana një ftesë e Sahitit nuk do të kishte qenë blasfemike. Kështu, ai deri më tani gëzon vetëm dy paraqitje me Kosovën (edhe me nga një minutë si i futur në fund të pjesëve të dyta ndaj Irlandës Veriore dhe Greqisë në qershor), kur po bëhen thuajse një vit prej që ka kompletuar dokumentacionin për të luajtur me "dardanët".
Gjithsesi, ai ishte lojtari më i dalluar gjatë fundjavës nga futbollistët kosovarë që patën ndeshje të ndryshme në kampionatet përkatëse ku ata aktivizohen.
Si ishte në të vërtetë paraqitja e Sahitit?
Fillimisht duhet thënë që Emir Sahiti vazhdon të konsiderohet si sulmues krahu i aftë për t’i mbuluar të dy këndët e sulmit. Kështu u përdor në edhe në ndeshjen e fundit ndaj Varazdin.
Qershia mbi tortë dhe një gol i dimensionit të një kryevepre të rrallë, erdhi në minutën e 33-të, pasi koordinoi në formë magjepse një goditje gërshërë me të pranuar një harkim të butë nga sulmuesi kroat me përvojë, Livaja.
Ky ishte edhe goli që i dha epërsinë Hajdukut dhe njëherësh edhe i pari i tij në edicionin e sivjem të kampionatit.

Me kaq nuk mbaroi paraqitja e tij. Ai ishte edhe në parametra tjerë një lojtar i veçuar në fushë. Pikë së pari, pasimet e tij ishin në suaza të pëlqyeshme të saktësisë (82%).
Përveç kësaj, nga ato pasime një ishte kyç dhe diçka që është më e rëndësishme sesa çdo gjë tjetër në këtë aspekt të lojës është se në tri raste kur është munduar ta gjejë thellësinë me pasime, duke deshur të pasojë në pjesën e tretë të fushës (ose siç njihet në zhargonin futbollistik ndryshe edhe 30-metërshi i fundit) – ai ka qenë tërësisht i saktë.
Një tjetër aspekt që është veçuar kur jemi te pasimet, janë edhe ato diagonale, ku edhe në këtë rast është dëshmuar me saktësi empirike (100%) në tri raste sa herë ka ndërruar kahjen e lojës.

Kanë qenë Livaja dhe Mikanovic ata që janë shërbyer më së shpeshti me topa nga Sahiti, me 8, respektivisht 7 pasime. Po flasim për sulmuesin qendror dhe mbrojtësin e krahut të djathtë. Me pak fjalë, me këtë të fundit thuajse gjatë gjithë kohës i ka koordinuar sulmet, duke bërë dyfishim të krahut. Ndërsa me Livajan ka shkëmbyer pasime trekëndshe sa herë që sulmuesi kroat ka bërë disa metra mbrapa pozicionit natyral për të pranuar topin dhe për ta shtyrë skuadrën përpara.
Deri në minutën e 75-të sulmuesi kosovar ka luajtur në krahun e djathtë të sulmit, ndërsa në çerekun e fundit të lojës është zhvendosur në atë të majtë.

Më pak shpërthyes ka qenë në driblime sesa zakonisht (33%), por në të njëjtën kohë në harkime ka qenë tejet kërcënues për ekipin kundërshtar, duke qenë në 60% të rasteve i saktë, për të krijuar kështu situata të volitshme shënimi, aq më shumë kur dihet se në lojën me ajër Livaja është i specializuar.
Kjo nuk është e tëra sa i përket paraqitjet së tij, pasi në një tjetër element spikati shumë. Fjala është për duelet e fituara në mbrojtje (6 nga 6, me përqindje saktësie 100%). Gjashtë herë sa është kthyer për të bërë dyfishimin e krahut në mbrojtje për t’i dalë në ndihmë mbrojtësit e krahëve, në të gjitha rastet ka dalë fitues.
Ai në fund iu gëzua suksesit të skuadrës, e cila për hir të vërtetës shumë bëri shumë mund për të fituar ndaj Varazdin. Vetëm një gol në minutën e 90-të i siguroi fitoren asaj me rezultat 2:1.
Hajduk renditet në pozitën e dytë tabelore me 23 pikë, ku ka tetë pikë më pak sesa rivali i përbetuar historik Dinamo Zagreb që prinë me një shkëputje domethënëse kur janë zhvilluar 11 xhiro deri më tani.


