UEFA thotë se Rumania mund të diskualifikohet nëse nuk pranon të luajë kundër Kosovës - NACIONALE

UEFA thotë se Rumania mund të diskualifikohet nëse nuk pranon të luajë kundër Kosovës

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Rumania mund të diskualifikohet nga eliminatoret për Kampionatin Evropian 2024 dhe do ta humbë ndeshjen me rezultat zyrtar nëse nuk pranon të luajë kundër Kosovës në dy përballjet me të në Grupin I kualifikues, ka konfirmuar UEFA për Gazetën Nacionale.

Federata e Futbollit e Rumanisë njoftoi të hënën se do të bisedojë me qeverinë e vendit për, siç tha, kushtet në të cilat do t’i zhvillojë dy ndeshjet e saj me Kosovën në kualifikime për, pasi Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Reagimi i Qeverisë rumune vjen pasi ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, Theodor Melescanu, e këshilloi kombëtaren e vet të mos luajë fare kundër Kosovës, pavarësisht se kjo do t’i kushtonte me humbje zyrtare prej 3:0.

E pyetur nga Gazeta Nacionale nëse Rumania mund të përballet me ndonjë ndëshkim më të rëndë nëse nuk pranon të luajë ndeshjen kualifikuese me Kosovën, UEFA konfirmoi se ajo mund të diskualifikohet nga eliminatoret në bazë të nenit 30 të Rregullores së shtëpisë së futbollit evropian.

“Neni 30 i rregullores së garës e bën të qartë këtë”, tha UEFA për Nacionale.

Neni 30 i rregullores së garave i UEFA-s thekson: “Nëse një Federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për mos zhvillimin e një ndeshjeje apo mos zhvillimin e saj plotësisht, atëherë Komiteti i UEFA-s për Etikë, Kontroll dhe Disiplinë mund të ndërmarrë masa shtesë disiplinore të cilat vlerësohen si të përshtatshme për federatën në fjalë, përfshirë diskualifikimin nga gara”, sipas nenit 30 të Rregullores së UEFA-s.

Çfarë kishte thënë federata rumune

Federata rumune la të kuptohej se nuk do të vendosë të luajë kundër Kosovës pa pëlqimin e qeverisë së vendit, duke e kthyer menjëherë në çështje politike lojën e futbollit.

“Duke e konsideruar faktin se Rumanisë dhe Kosovës i ra shorti të luajnë në të njëjtin grup në kualifikimet për Euro 2024, në një ceremoni që u mbajt më 9 tetor, dhe duke e marrë parasysh gjendjen gjeopolitike, Federata e Futbollit e Rumanisë do të bisedojë me Qeverinë e Rumanisë për t’i gjetur kushtet më të mira për këto ndeshje, në të cilat ekipi ynë përfaqësues do të përballet me Kosovën në Grupin I”, ka thënë Federata rumune për mediat lokale.

Kosova e kishte një telash pak a shumë të ngjashëm edhe me Moldavinë në sezonin 2020/21 të Ligës së Kombeve, e cila nuk kishte pranuar ta mirëpriste Kosovën në vendin e vet, duke e organizuar përballjen si mysafire në Itali.

Megjithatë, Moldavia u detyrua të vijë në Prishtinë për t’u përballur me Kosovën në ndeshjen e dardanëve si vendas.

Në vitin 2019, UEFA e miratoi një rregullore të veçantë për Kosovën dhe shtetet që nuk e njohin atë, pa përfshirë Serbinë dhe Bosnjën me të cilat nuk mund të përballet, e cila i detyron ato vijnë në Prishtinë për ndeshjet si mysafire.

Rregullorja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA thotë: Ekipet të cilat nuk mund të jenë nikoqire të klubeve nga Kosova apo ekipit kombëtar të saj në territorin e vet, mund të bëjnë kërkesë për t’i organizuar ndeshjet e tyre si vendas në një terren neutral. Megjithatë, ato janë të detyruara të pranojnë t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre si mysafirë në Kosovë.

Kjo nënkupton se më së shumti që Rumania mund të bëjë është të kërkojë ta presë Kosovën në një vend neutral jashtë territorit të vet, por do të jetë e detyruar të vijë në Prishtinë për ndeshjen si mysafire, ose i kushton me tri pikë dhe mbase ndëshkim shtesë.

Lajme të ngjashme