Daja: Slavia Praga është favorite, por ne do ta bëjmë maksimumin për ta vazhduar këtë ecuri pozitive
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka folur një ditë para ndeshjes që skuadra e Ballkanit do ta luajë ndaj Slavia Pragas në udhëtim, në kuadër të Ligës së Konferencës.
Ai deklaroi se favorite për këtë ndeshje është skuadra vendëse, por prapëseprapë ata do të mundohen që ta bëjnë më të mirën.
“Asgjë nuk bëhet me e lehtë për ne. Çdo gjë bëhet më e vështirë. Mirëpo ne bëhemi më të mirë dhe më të fortë. Futbolli është një sport situate. Favorite është Slavia, por ne do të mundohemi ta bëjmë maksimumin për ta vazhduar këtë ecuri pozitive dhe ta përfaqësojmë mirë jo vetëm qytetin tonë, por edhe futbollin e Kosovës”, tha ai.
Ballkani po përballët me një numër të madh ndeshjesh dhe ky element po cilësohet një pengesë që mund t’i rëndohet skuadrës kampione kosovare.
“Për herë të parë zhvillohet kampionati Botëror në muajin nëntor. Do të thotë, intensiteti i ndeshjeve është shumë i madh. Ne kemi bërë rotacion, por edhe në kampionatin kosovar jemi pretendentë dhe atje synojmë ta themi fjalën tonë”, shpjegoi ai
Daja me vlerësim të lartë për Slavia Pragan
Ilir Daja iu përgjigj edhe një pyetje të një gazetari çek në lidhje me komplimentet që ka pranuar Ballkani nga trajneri i Slavia Pragas.
“Ndjehem i respektuar për fjalët dhe respektin e trajnerit të Slavia Pragas për ne. Të njëjtat fjalë i përcjelli edhe unë për ta, sepse ka një ekip me kualitete individuale, por edhe një lojë ku duket dora e stafit teknik. Ajo që e vështirëson për ne ndeshjen akoma edhe më shumë është përvoja që kanë në të tilla kompeticione”, nënvizoi ai.
Trajneri shqiptar tregoi edhe aspektet të cilat e veçojnë lojën e Slavia Pragas, duke thënë se i ka studiuar mirë ata.
“Ne kemi analizuar kundërshtarin. Janë një ekip të cilit i gjen pak gabime nga ana taktike, sepse luajnë mirë si grup. Kanë një sulm të shpejtë. Posedojnë një ekip me lojtarë cilësorë. Janë edhe agresivë. Këto janë dy elementet që dominojnë te ta, edhe pse kanë edhe cilësi të tjera. Mirëpo përgjithësisht janë një ekip që di të luajë mjaft mirë futboll”, tha Daja.
Në fund të konferencës për shtyp ai ka dhënë disa detaje edhe sa i përket gjendjes së lojtarëve të lënduar me të cilën po ballafaqohen si skuadër
“Lëndimet nuk mund të shmangen. Ne nuk kemi kontingjentin e plotë. Kemi mungesa në të njëjtin repart, që e bën akoma edhe më të vështirë (refuzoi t’i cekë se cilat janë ato), por do të mundohemi t’i kompensojmë mungesat që kemi”, përfundoi ai.
Pas javës së parë që është zhvilluar në grupin G të Ligës së Konferencës ku ndodhet edhe Ballkani, të gjitha skuadrat janë me pikë të barabarta, pasi i kanë barazuar ndeshjet e para.


