Frashëri: Kundër Slavia Pragas nevojitet motivim shumë më i madh sesa ndaj Clujit
Numri një i portës së Ballkanit, Stivi Frashëri, është deklaruar në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes kundër Slavia Pragas në udhëtim.
Ballkani e pati në duart e veta fitoren në ndeshjen kundër Clujit, por nuk ia doli assesi që ta ruante kapitalin prej një goli, duke u barazuar rezultati në çastet e fundit të takimit. Pikërisht këtu ka vurë theksin Frashëri që mos të përsëritet e njëjta histori edhe në ndeshjen e radhës kundër një rivali shumë cilësor siç është Slavia Praga.
“Duhet të jemi shumë më të motivuar se ndaj Clujit, të japim maksimumin dhe mos të lejojmë të ndëshkohemi. Ne duhet të vlerësojmë çdo moment deri në fund të ndeshjes, e jo sikurse me Clujin që menduam se ndeshja kishte mbaruar dhe kundërshtari në ato momente na ndëshkoi për të na e larguar fitoren nga duart në fund”, theksoi ai.
Emocionet para ndeshjes kundër Slavia Pragas
Stivi Frashëri nuk i ka fshehur dot emocionet para ndeshjes kundër Slavia Pragas, duke ditur mirë se çfarë atmosfere të zjarrtë dinë ta bëjnë tifozët vendës.
“Për mua do të jetë mirë të luajmë në një stadium me atmosferë të madhe, sigurisht nuk do të jetë lehtë. Ne jemi përgatitur mirë dhe shpresoj ta shijojmë. Shpresoj të jap më të mirën nga vetja dhe të dëshmojmë se mund të luajmë futboll edhe pse jemi ekip i vogël nga një shtet i vogël”, nënvizoi ai
Pavarësisht vështirësive të mëdha, Ballkani shrpeson që ta nxjerrë më të mirën, për ta vazhduar e shijuar ëndrrën evropiane në mënyrën e vet. Kështu deklaroi si Daja, ashtu edhe vetë Frashëri kur u përballë me pyetjet e gazetarëve rreth ndjesive që ka para se të nisë sfida.
“Është kënaqësi të kemi mundësinë të luajmë me një kundërshtar si Slavia. Shpresoj të bëjmë më të mirën dhe të kemi një rezultat të favorshëm. Normalisht, Slavia tregon vetvetiu se është kundërshtar më i fortë se Cluji e Sivasspori, dhe është pretendenti kryesor për ta fituar grupin. Do ti shijojmë ndeshjet në fazën e grupeve pasi është hera e parë që luajmë”, u shpreh Frashëri.
Ndeshja e nesërme mes Slavia Pragas dhe Ballkanit do të fillojë nga ora 18:45. Favorite e madhe për ta fituar këtë takim vlerësohet të jetë Slavia Praga, marrë parasysh cilësinë e madhe që posedon në organikën e skuadrës së vet dhe përvojës që ka në të tilla gara. Në anën tjetër, Ballkani do të përpiqet që t’i prishë matematikat e kundërshtarëve, njësoj siç ka bërë deri më tani.

