Drita e mund Ballkanin duke ia shkaktuar disfatën e parë, Llapi mposhtet sërish, Prishtina e ndal Gjilanin
Drita e ka mposhtur 2:0 Ballkanin duke ia shkaktuar disfatën e parë kampionit në fuqi, ndërkohë që Gjilani dhe Prishtina janë ndarë baras 1:1, me Ferizajn që e ka mundur 2:1 Llapin duke ia shkaktuar disfatën e tretë radhazi të dielën.
Drita dhe Ferizaj kanë shënuar fitore, ndërsa Gjilani dhe Prishtina kanë marrë nga një pikë në xhiron e gjashtë të Superligës të dielën.
Kampioni në fuqi Ballkani e pësoi disfatën e parë në rrugëtimin e tij për ta mbrojtur titullin në Superligë, pasi u mund nga rivali për titull Drita në Stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas.
Marko Simonovki në minutën e 31-të dhe Besnik Krasniqi nga penalltia në minutën e 59-të ia siguruar fitoren e dytë radhazi dhe të katërtën këtë sezon skuadrës së Adrian Nuhiut përballë klubi suharekas.
Ndërkohë, Prishtina ia ndërpreu Gjilanit ecurinë e përkryer prej katër fitoreve radhazi në katër ndeshjet e para, duke e ndalur me barazim 1:1 në Gjilan.

Elton Cale e kishte kaluar skuadrën e Zekirija Ramadanit në epërsi në minutën e 40, por një gol nga penalltia i Kreshnik Ukës e shpëtoi Prishtinën e Munishit nga disfata e dytë radhazi.
Ndërkohë në Ferizaj, fituesi i Kupës së Kosovës Llapi e pësoi disfatën e tretë radhazi, pasi u mund 2:1 nga skuadra e porsapromovuar në elitë, që flet për një krizë rezultatesh për skuadrën e Tahir Batatinës, e cila e ka vetëm një fitore në gjashtë ndeshje këtë sezon.
Për Ferizjan, kjo ishte fitorja e parë në Superligë pas katër barazimeve dhe dy disfatave në sezonin promovues.

Renditja tabelore
Pas ndeshjeve të xhiros së gjashtë, e cila është e pakompletuar, Gjilani është lider me 14 pikë nga gjashtë ndeshje, i ndjekur nga rivali i qytetit Drita, që ka 11 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ballkani, që i kishte fituar tri ndeshjet e para radhazi para se të mundej nga Drita, ka 9 pikë në vendin e tretë, por dy ndeshje më pak të zhvilluara se lideri.
Prishtina është e katërta me 8 pikë nga pesë ndeshje, një më shumë se Malisheva në vendin e pestë.
Ferizaj është ngjitur i gjashti me gjashtë pikë nga gjashtë ndeshje pas kësaj fitoreje.
Llapi bie në vendin e parafundit me vetëm pesë pika nga gjashtë ndeshje, tri më shumë se vendi i fundit, Dukagjini.
