Përballje e fjalosje në Kuvend, VV nuk thërret seancë "sepse është në dorë të Avni Deharit" - NACIONALE

Përballje e fjalosje në Kuvend, VV nuk thërret seancë "sepse është në dorë të Avni Deharit"

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kosova ka dalë nga afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Procesi ka tejkaluar afatin 30-ditor pas certifikimit të rezultateve, ndërsa nuk është respektuar as Rregullorja e Kuvendit për thirrjen e seancës brenda 48 orësh.

Kryesuesi Avni Dehari nuk e ka thirrur vazhdimin e seancës, duke i dhënë vetes autoritetin e ngrirjes së gjendjes “deri në marrëveshje politike.” Përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, ka deklaruar se çështja është “në dorë të Avni Deharit”.

PDK dhe AAK kanë qëndruar në sallën e Kuvendit në shenjë proteste, ndërsa LDK nuk ka marrë pjesë. Opozita ka kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të procesit të konstituimit.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, e ka akuzuar Vetëvendosjen për bllokim të Kuvendit dhe ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj partisë në pushtet.

“Organizatë banditeske të veshur me petkun e pushtetit”, e ka quajtur Tahiri Vetëvendosjen, duke pretenduar se ajo po tenton ta çojë Kosovën drejt anarkisë.

Ai ka thënë se PDK-ja i është drejtuar Deharit për vazhdimin e seancës, por kërkesa nuk është përmbushur.

Përplasjet politike janë shoqëruar edhe me debate në sallë. Deputetet e PDK-së, Sala Jashari dhe Vlora Çitaku, janë përplasur verbalisht me Albulena Haxhiun.

Pas debatit, Haxhiu është larguar nga Kuvendi, ndërsa deputetë të PDK-së e kanë ndjekur dhe i kanë kërkuar të thërrasë seancën.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se bllokimi i Kuvendit përbën cenim të sovranitetit dhe rendit kushtetues.

“Sovraniteti i takon popullit, i takon institucioneve të zgjedhura dhe ne këtu jemi të zgjedhurit”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, janë shkelur tri norma kryesore që rregullojnë funksionimin e Kuvendit: neni 66 i Kushtetutës, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.

“Të tri normat kryesore që e rregullojnë funksionimin e këtij Kuvendi janë shkelë”, ka thënë Tahiri.

Lajme të ngjashme