Çfarë të flasim për t'u dukur të mençur rreth futbollit, edhe nëse s'kemi lidhje me këtë sport - NACIONALE

Çfarë të flasim për t'u dukur të mençur rreth futbollit, edhe nëse s'kemi lidhje me këtë sport

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

“Mesfusha e dobët”, “duhet topa në thellësi”, “Pasimet shumë të gjata”, “pasime vertikale” apo “diagonalet me mbrojtjen deçizive”. Këto janë vetëm disa nga shprehjet që kolegët më dhanë si ide që t’i flasë, në mënyrë që të dukem se di për futboll. Edhe pse nuk di sen.

Është dita e tretë e Kupës së Botës. Në redaksi flitet për futboll, në kafiqa ka futboll, në televizion gjithashtu, gjithkah. Por unë nuk di, dhe nuk kam lidhje asgjë me futbollin. Në fakt më shkon nerva. Por këtë muaj, kur po zhvillohet Botërori nuk ke ka me i ikë futbollit apo temës për futboll. Me këdo që takohem, muhabeti është i njejtë. Por unë nuk dua që të dalë kot dhe të bëhem i mërzitshmi në tavolinë. Unë dua të tingëlloj se di diçka për futboll, edhe pse nuk di asgjë, kështu që për të më ndihmuar për këtë i pyeta kolegët e mijë në zyre. Pyetja ishte Çka me fol që me u dokë i mençur për futboll? Këto janë përgjigjet.

Në shkallë e takova Urimin. Ai më dha një këshillë që mund ta përdori qysh sot. Bëhet fjalë për ndeshjen mes Argjentinës dhe Arabisë Saudite. Ai më tha se nëse i gëzohem fitores së Arabisë, atëherë do të marrë nota pozitive në shoqëri.

Thuj që shyqyr fitoi Arabia, tani thuj Argjentina sulmin e mirë po mesfushë nuk pat hiq, sepse nime ke mungesë mesfusha. Mesfusha e fortë, sulmin e man të mirë, këta nuk patën mesfushë me i qit topa kështu që humben”, më tha Urimi.

Në redaksi, më pas e pyeta Besianin. Njëri prej fansave më të flaktë të futbollit. Ai më dha një këshillë interesante, që nëse e përdori, do të dukem se i njoh lojëtarët dhe historinë e tyre. Unë normalisht, nuk kam ide për asnjë nga ata.

Thuju, është momenti që Ronaldo me u mbyllë karrierën me një trofe, ose Messi”, më tha Besiani, teksa vazhdoi edhe me një këshillë që defintivisht do ta përdori, se po tingëllon të jetë “e thellë”.

“Taktikisht thuj nuk po më pëlqejnë lojët, duhet me topa në thellësi”, ishte këshilla tjetër e Besianit, teksa afër tij, redaktori i Sportit, Ekrem Idrizi jep një tjetër ide.

Këshillat e Ekremit, mezi prita me i marrë. Meqense ma i profesionit.

Pasimet shumë të gjata, thuju që po humbin shumë topa”, më thotë Ekremi, të cilin e pyeta edhe për dicka tjetër, cilin ekip duhet me sha që me tingëllu i mençur në futboll.

Shaje Francen, se është kampion në fuqi i botës edhe thuju që nuk po lujn mirë”, më tha Ekremi.

Siç mund ta dëgjoni në audio, gjatë bisedës me Ekremin, përzihet kryeredaktori, Jetlir Buja, që është duke u marrë me politikë. Jetliri më jep disa këshilla gjenerale por që unë hala nuk i kuptoj por që do t’i përdori sepse tingëllojnë shumë të thjeshta të mbahen në mend. Ju inkurajoj edhe juve.

Përmeni diagonalet, që i bëjnë lojëtarët. Ti se din, ama përmende si diagonale që nuk e dijnë shumë, edhe dokesh nice. Tani thuaj që mbrojtësit nuk kanë mbrojtur aq mirë edhe sulmuesit nuk kanë sulmuar aq mirë”, më tha Jetliri.

Gazetari i politikës, Muhamet Koci, më dha një këshillë me një gjuhë prej politikani.

Thuju që ndërhyrje deçizive të mbrojtjes po janë shumë të sukseshme. Theksoje deçizive gjithë se mendojnë se je prej Shqipnisë edhe që je shumë i mençur”, më tha Koci. Normalisht unë nuk e kam idenë se çka është “mbrojtja deçizive”, por si fjali po tingëllon shumë profesionale. Ndoshta do të tentoj që të flas pak “si të Shqipnisë”. Ta shohim.

Këshillat se çka të flas që të dukem i mençur në futboll, mi dhanë edhe të tjerë. Mirlind Behluli, redaktor më dha një këshillë që shpresoj që do ta mbajë në mend.

Ka munguar taktika në lojën e fundit. Duhet një taktikë e re, një kohezion mes mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit. Për krejt ndeshjet vlen kjo”, më tha Mirlindi, teksa Shkëlqimi më dha një ide që nuk e di nëse mund ta përdori, sepse unë nuk njoh lojëtar.

Mundesh me ju folë për formacione, për vendosjen e lojëtarëve në formacione. Jo bon ky jo ai, ama se di a i njeh”, më tha Shkëlqimi.

Kolegu i fundit që e pyeta ishte Arbër Ramadani. Ai më dha një ide me detaje që përnjemend do ta përdori.

Sa më shumë pasime vertikale në zone jo me shtri lojën horizontalisht se nuk po ka efekt”, më tha Arbëri.

Cilado nga këto fjali që i përdorni, sipas këtyre që më dhanë këshillat, më thanë që të kemi kujdes se në çfarë konteksti i përdorim këto shprehje. Ju sugjeroj që të përdorni këto shprehjet më gjenerale. Mbi të gjitha, suksese, që ta mbijetoni këtë muaj, ku tema e vetme do të jetë futbolli.

Lajme të ngjashme