Cassano: Interi ndaj Barcelonës vendosi trenin në mbrojtje, Asllani më mirë të huazohet - NACIONALE

Cassano: Interi ndaj Barcelonës vendosi trenin në mbrojtje, Asllani më mirë të huazohet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-sulmuesit italian, Antonio Cassanos, nuk i ka pëlqyer aspak loja e shfaqur nga zikaltrit kundër Barcelonës gjatë mesjavës në Ligën e Kampionëve, përkundër fitores 1:0. Ai kritikoi edhe trajtimin që po i bëhet Kristjan Asllanit.

Zakonisht Antonio Cassano është mundur ta kursejë Interin nga kritika, ngase ka vlerësuar shumë përpjekjet e Inzaghit në të kaluarën për t’i dhënë një identitet të lojës.

Kriza në të cilën ka kaluar Interi gjatë shtatorit ka vënë në dukje në humbje të atij stili të lojës me të cilin karakterizohej skuadra.

Gjatë mesjavës Interi arriti një fitore të madhe në Ligën e Kampionëve duke mposhtur 1:0 Barcelonën si rivalin direkt, por jo të gjithëve u ka pëlqyer paraqitja e lojtarëve zikaltër. Njëri ndër ta është pikërisht Cassano. Ai pati disa kritika edhe për Asllanin dhe mos përdorimin e tij në formën e duhur.

Fitore ndaj Barcelonës si “lotari” dhe nevoja që Asllani të huazohet

Rastësore e ka quajtur Antonio Cassano fitoren e Interit kundër Barcelonës. Gjatë emisionit në “Bobo TV” ku merr pjesë si panelist i përhershëm, ai tregoi se përse nuk i ka pëlqyer aspak loja e ekipit italian.

“Sipas meje rruga që ka marrë Interi nuk është e duhura. Kur luan Inter në shtëpi para 80 mijë shikuesve nuk mund të paraqitet ashtu. Nuk e ka vendosur autobusin në mbrojtje, por trenin”, nënvizoi ai.

Nuk ka zgjidhje të ndërmjetme sipas Cassanos përveç aplikimit të futbollit me ide të qarta sulmuese. Ajo që u vu në pah në paraqitjen e fundit kundër katalonasve sipas tij ka qenë tërësisht e kundërta.

“Nëse ti luan mirë rrallë të bjen të humbësh. Interi po luan keq në këtë periudhë. Kur ka luajtur mirë, ka fituar. Mirëpo unë pyes: -sa ndeshje mund t’i fitosh duke luajtur kështu?” – potencoi ai.

Megjithatë, ai lavdëroi paraqitjen e një lojtari në vijë defansive: “Dimarco më pëlqeu. Ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme. Ka bllokuar tërësisht Dembelen.”

Ai pati kritika të mëdha ndaj Inzaghit edhe për mënyrën se si është duke e trajtuar mesfushorin e Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani.

Pas lëndimit që pësoi Brozovic në pauzën e kombëtareve gjatë fundit të shtatorit kundër Austrisë, mendohej se ishte një fat në fatkeqësi për mesfushorin shqiptar, i cili deri në ato momente nuk kishte pasur hapësirë t’i zhvillonte as 30 minuta në kampionat me fanellën zikaltër.

“Situata më duket pak e paqartë. Mungon Brozovic dhe nuk e fut në lojë Asllanin. Më thoni, kur të luajë ky lojtar? Më mirë lëre të largohet në formë huazimi diku tjetër. Mua më pëlqejnë trajnerët vendimmarrës. Interi po shpëton fytyrën e vete me rezultatin ndaj Barcelonës, por në fund do të bëjë llogari tjera”, deklaroi Cassano.

Lajme të ngjashme