Mesfushori shqiptar Asllani i gatshëm ta zëvendësojë Brozovicin: Interi s’po mendon për Barcelonën
Kristjan Asllani ndihet i gatshëm për ta zëvendësuar Marcelo Brozovicin kundër Romës në Serie A dhe këmbëngul se zikaltrit janë duke menduar vetëm për përballjen me skuadrën e Jose Mourinhos e jo për Barcelonën.
Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë iu bashkua Interit në verë nga Empoli në një marrëveshje huazimi njëvjeçar me detyrim blerjeje dhe ende nuk e ka bërë asnjë paraqitje si titullar për zikaltrit.
Trajneri Simone Inzaghi është nën presion tani pas disfatës 3:1 kundër Udineses në ndeshjen e fundit në ligë dhe i duhet të reagojë për ta ruajtur karrigen.
Por ai nuk do të mundë të llogaritë në mesfushorin kroat Brozovic, i cili pësoi lëndim muskulor në detyrë me Kroacinë dhe pritet të mungojë një muaj.

Interi kishte hasur në vështirë ta zëvendësonte Brozovicin gjatë sezonit të kaluar, prandaj e mori mesfushorin shqiptar për këtë rol.
“Unë gjithmonë jam në dispozicion të trajnerit, përfshitë këtë të shtune”, tha Asllani për mediat italiane.
“Më vjen keq për Marcelon, ai është lojtar vendimtar për ne, por unë jam i gatshëm nëse më vjen radha. Do të përpiqem ta jap më të mirën”, nënvizoi ai.
Asllani shtoi: “Ne do të përballemi me Romën, një skuadër të fortë. Duhet të luajmë për fitore patjetër. Ne punojmë fort çdo ditë dhe jam i sigurt se rezultatet do të vijnë”.
Zikaltrit i pret një javë vendimtare, pasi do të përballet me Barcelonën në Ligën e Kampionëve të martën në Milano, tri ditë pas përballjes me Romën në Serie A.
“Do të përqendrohemi te Barcelona në kohën e duhur, tani duhet patjetër të mendojmë për Romën, jemi duke menduar vetëm për ndeshjen e së shtunës me verdhekuqtë”, shtoi ai.
Interi është i detyruar ta blejë Asllanin në verë për 10 milionë euro plus 2 milionë euro të tjera bonuse.


