Inzaghi: Asllani do të jetë vlerë e shtuar për ne - NACIONALE

Inzaghi: Asllani do të jetë vlerë e shtuar për ne

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kristjan Asllani me t'u transferuar tek Inter ka filluar t'i bindë të gjithë. Në miqësoren e sotme përballë Luganos ai dhuroi një asist.

Fillimisht u ble për të qenë një zëvendësues i Brozovic pas largimit të Vidal, por tani Inter ka filluar të eksplorojë më shumë nga aftësitë e mesfushorit 20-vjeç shqiptar, Kristjan Asllani.

Pasi shënoi gol në ndeshjen e parë testuese me Inter, edhe sot ai zhvilloi një paraqitje tepër dinjitoze në miqësoren e radhës që u luajt kundër Luganos në Zvicër. Inzaghi e vendosi atë nga minuta e parë dhe menjëherë vuri në pah talentin e tij.

Në minutën e tretë të ndeshjes, Asllanit iu besua ekzekutimi i këndores, me ç'rast gjeti për mrekulli të lirë mbrojtësin D'Ambrosio, i cili me kokë goditi topin, për ta çuar brenda kuadratit të portës, duke sjellë Interin në epërsi 0:1.

Asllani po impresionon jo vetëm tifozët e Inter pas dy ndeshjeve të para me fanellën zikaltër, por edhe vetë trajnerin Simone Inzaghi.

Ky i fundit për mikrofonin e SportItalia, pas mbarimit të ndeshjes kundër Luganos të cilën Inter e fitoi me rezultat 1:4, nuk kurseu lëvdatat për Asllanin.

"Asllani është një lojtar që e njihnim. Që tani ka dëshmuar personalitet të lartë. Do të jetë një vlerë e shtuar për ne", deklaroi Inzaghi.

Inter pagoi për Asllanin 4 milionë euro për ta marrë në formë huazimi, me mundësi që ta blejnë kartonin e tij pas një viti për afro 10 milionë euro. Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë pati paraqitje fantastike me Empolin në pjesën e dytë të sezonit që kaloi në Serie A, duke spikatur me vazhdimësinë e treguar, si dhe përgatitjen e lartë fizike.

Jo më kot ai ishte në mesin e shtatë futbollistëve që vrapoi më së shumti në Serie A, duke e llogaritur mesataren e kilometrave të vrapuara për ndeshje.

Shtypi italian gjatë ditës së sotme raportoi se Inzaghi po mendon ta përdorë Asllanin edhe në pozita tjera të fushës, si mesfushor qëndror i majtë dhe jo vetëm në rolin zëvendësuesit të Brozovicit.

Lajme të ngjashme