Carlo Ancelotti: Nga goja ime nuk do të dalë kurrë fjalia “Messi është më i miri në histori”
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka këmbëngulur se nuk është e drejtë të thuhet se Lionel Messi është futbollisti më i mirë në histori, për shkak të epokave të ndryshme në futboll.
Duke folur para përballjes së Real Madridit me Valladolidin të shtunën më 31 dhjetor, Ancelotti tha se nuk mund ta cilësoj Messin si më të mirin në histori për shkak se ka stërvitur shumë fitues të Kupës së Botës.
I pyetur nëse Messi është më i miri, Ancelotti tha: “Nuk e di nëse ai është më i miri në histori. Nuk është e drejtë të thuhet kjo, sepse çdo epokë ka lojtarë shumë të mirë. ‘Messi më i miri në histori’ nuk do të dalë nga goja ime’. Unë kam shijuar shumë lojtarë të mirë... unë e stërvit çdo ditë fituesin e Topit të Artë”.
Lionel Messi po shihet tani nga shumë si lojtari më i mirë në historinë e futbollit, pasi e fitoi Kupën e Botës 2022 me Argjentinën gjatë këtij muaji në Katar.
Botërori ishte trofeu i vetëm që i mungonte argjentinasit për ta kompletuar një karrierë të bujshme.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë e ka fituar çdo trofe të mundshëm deri tani me klub dhe kombëtare, përfshirë La Ligën, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Amerikës.
Messi shkëlqeu në Katar, duke i shënuar shtatë gola, përfshirë dy në finale, si dhe duke i dhënë tri asiste.
Ai u shpall lojtari më i mirë në Kupën e Botës 2022, për herë të dytë pas Botërorit 2014, por këtë herë si fitues i turneut.
Për dallim nga Ancelotti, trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp nuk ka parë lojtar më të mirë se Messi në jetën e tij.
“Futbollisti më i madh në jetën time, Lionel Messi, mënyra se si luan ai futboll në këtë moshë duhet të na japë neve një sugjerim se sa gjatë mund të performojnë futbollistët në nivelin më të lartë. Ishte kënaqësi ta shihja duke luajtur atë”, theksoi Kloppi për Messin.

