Jurgen Klopp: Lionel Messi është lojtari më i madh në jetën time
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka lartësuar Lionel Messin si lojtarin më të madh në histori dhe ka thënë se ndihet i lumtur që Argjentina e fitoi Kupën e Botës 2022.
Klopp është i mahnitur me qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e Messit në nivelin më të lart, duke thënë se njerëzit duhet të mendojnë dy herë para se ta quajnë të mbaruar një lojtar të moshës së tij.
Argjentina fitoi 4:2 në penallti, pas një ndeshjeje spektakolare e cila ishte edhe një ballafaqim i shumëpritur mes mjeshtrit 35-vjeçar Messi dhe gjeniut të ri francez Kylian Mbappe.
“Argjentina e meritoi trofeun dhe kur e sheh tërë vendin duke festuar, atëherë mbase e fitoi vendi i duhur në kohë të vështira. Jam shumë i lumtur për ta, ata pritën shumë për këtë titull”, tha Klopp.

Messi i shënoi dy gola, një penallti për ta hapur serinë e golave në pjesën e parë, si dhe një gol nga afërsia në vazhdime. Mbappe shënoi het-trik, duke i çuar Francën së pari në vazhdime e pastaj në penallti, ku u mposht përfundimisht.
Ky ishte trofeu i parë i Argjentinës në Kupën e Botës që prej vitit 1986, si dhe i tretë në përgjithësi në historinë e saj.
“Futbollisti më i madh në jetën time, Lionel Messi, mënyra se si luan ai futboll në këtë moshë duhet të na japë neve një sugjerim se sa gjatë mund të përformojnë futbollistët në nivelin më të lartë. Ishte kënaqësi ta shihja duke luajtur atë”, theksoi Kloppi për Messin.
Messi e ruajti formën më të mirë për Kupën e Botës, duke i shënuar shtatë gola në këtë turne, përfshirë dy në finale, si dhe duke i dhënë tri asiste.
Ai u shpall lojtari më i mirë në Kupën e Botës 2022, për herë të dytë pas Botërorit 2014, por këtë herë si fitues i turneut.

