Messi i artë, Argjentina kampione bote - NACIONALE

Messi i artë, Argjentina kampione bote

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Argjentinës ka fituar Kupën e Botës “Katar 2022” pas një drame të madhe në finale ndaj Francës.

Argjentinasit ishin më të mirë se francezët duke zhvilluar lojë më të bukur për të fituar në fund në penallti (4:2), pasi epilogu përfundimtar pas kohës së rregullt dhe shtesës doli të jetë 3:3.

Argjentina dominoi deri në minutën e 80-të duke qenë në epërsi me rezultat komod 2:0, por pastaj u ‘ndez’ Kylian Mbappe duke shënuar dy herë për një minutë.

Ndeshja nisi shumë mirë për Argjentinën që krijuan disa aksione të shpejta nga fillimi, mirëpo u mungoi konkretizimi.

Ishte Angel di Maria që u faullua brenda zonës nga Ousmane Dembele, ku si pasojë arbitri akordoi penallti nga e cila ishte thjesht i pagabueshëm Lionel Messi.

Duke gjuajtur në këndin tjetër nga ai që mendoi arbitri, Messi i dha epërsinë Argjentinës pas 23 minutave lojë.

Ky dominim vazhdoi, me Messin që nisi një kundëraksion duke pasuar te Julian Alvarez, i cili gjeti McAllister me këtë të fundit që asistoi për Di Maria, që dyfishoi epërsinë.

Franca nuk arriti të këndellet deri vonë pasi nuk kishin as edhe një goditje drejtë portës.

Në skenë më vonë doli Kylian Mbappe që ngushtoi epërsinë duke shënuar nga pika e bardhë (80’).

Kurse vetëm një minutë më vonë, Kinglsay Coman mori një top në mesfushë dhe asistoi për francezin, që me një goditje vollej dërgoi topin në portën e Emiliano Martinezit (81’).

Pas kësaj, dy kombëtaret kishin edhe nga një mundësi por që nuk i konkretizuan, kështu ndeshja shkoi në kohë shtesë.

Në vazhdime, Argjentina arriti të dominojë më shumë duke pasur disa super raste me Lautaro Martinez, që dështoi dy herë nga afërsia.

Kur askush nuk e priste, Argjentina krijoi një tjetër aksion të shpejtë me Lionel Messin që u gjend në vendin e duhur pas një topi të kthyer nga pritja e Hugo Lloris (109’).

Megjithatë, Franca sërish nuk u doërzua duke barazuar prapë rezultatin përmes Kylian Mbappe, që shënoi nga pika e bardhë pas një penalltie nga prekja e topit me dorë (118’).

Në fakt, dy kombëtaret kishin nga një rast të artë në kohën shtesë por dështuan keq nga afërsia.

Në penallti, më të saktë u treguan argjentinasit pasi Kingslay Coman dhe Aurelien Tchouameni dështuan nga pika e bardhë.

Kështu për Argjentinën ky është titulli i tretë i Kupës së Botës, duke pasur një më pak se Italia.

Lajme të ngjashme