Brenda Bondsteel: Aty ku ushtarët amerikanë e duan Kosovën po aq sa kombëtaren e tyre
Është pothuajse e pamundur për një ushtar amerikan të vijë në Kosovë për të shërbyer dhe të mos bjerë në dashuri me vendin dhe njerëzit menjëherë dhe të mos kthehet këtu qoftë me mision apo për vizitë.
Sytë e tyre shkëlqenin nga dashuria kur po flisnin për Kosovën derisa po e shikonin kombin e tyre duke u përballur me Anglinë në Kupën e Botës në Katar të premten mbrëma në Kampin Bondsteel në Ferizaj.
“Kam qenë në shumë vende të botës me mision, por nuk e kam parë një vend më të mirë se Kosova. E dua”, më tha kapiteni Trever McSwain, derisa po e shikonte me plot emocione Kombëtaren e SHBA-së duke barazuar me Anglinë.

McSwain, pasi e kishte mbaruar ndërrimin, u shfaq para ekranit i veshur në fanellën e ekipit kombëtar amerikan në futboll në vend të uniformës ushtarake.
“Ne po luajmë më shumë si ekip i bashkuar tani dhe kam shpresa se do të kalojmë në fazën e eliminimit direk”, nënvizoi McSwain.
Për oficerin Daniel Elliot ishte e rëndësishme shmangia e disfatës mbase po aq sa vetë fitorja: “Unë jam tifoz i madh i SHBA-së, prandaj sa herë që mund të barazojmë dhe të mos humbasim kundër Anglisë është plus i madh për ne”.
Sa herë që ekipi kombëtar i Shteteve të Bashkuara kishte një mundësi shënimi, ushtarët amerikanë po kërcenin lart e poshtë plot eufori në Bondsteel, veçanërisht kur Weston McKennie ishte afër të shënonte, por goditja e tij shkoi lart mbi portë dhe kur Cristian Pulisic qëlloi shtyllën.
Dhe sa herë që lojtarët e tyre ndërprisnin një sulm anglez apo bënin faull, ata shfaqnin entuziazëm dhe mospajtim në të njëjtën kohë, duke kërkuar lojë më fizike.
Për amerikanët, evropianët luajnë shumë butë, dhe t’i shihni lojtarët e Anglisë duke u rrëzuar shpesh për të kërkuar faulle i bënte ata të qeshnin nga mosbesimi.

Togeri Kevin Whitehead, i cili është tifoz i Arsenalit në Premierligë po ashtu, po e shijonte lojën e amerikanëve kundër anglezëve
“Po e shijoj ndeshjen. Po luajmë më mirë seç prisja unë dhe duket se mund të fitojmë”, tha Whitehead.
SHBA-ja do të kënaqej me një barazim dhe kur gjyqtari i ra pipit për ta përfunduar ndeshjen me barazim pa gola, ushtarët amerikanë kërcyen nga gëzimi.
Amerikanët e mbizotëruan Anglinë në këtë ndeshje dhe barazimi nënkupton se Anglia s’e ka mposhtur kurrë në një Kupë Bote aleatin e vet më të madh jashtë futbollit.
Barazimi ishte i kënaqshëm për kombëtaren amerikane dhe për oficerin Jesse Morgenthal në Bondsteel, megjithëse ai do të kishte qenë shumë më i lumtur me një fitore.
Moregnethal tha: “Do të kisha qenë më i lumtur me një fitore por e pranoj edhe barazimin”

Për ta kaluar grupin, SHBA-ja duhet ta mposhtë Iranin patjetër në ndeshjen e fundit, sepse barazimi nuk do t’i mjaftonte edhe nëse Anglia e mund Uellsin në përballjen tjetër të grupit.
“Mendoj se do ta mposhtim Iranin, ata nuk janë shumë të mirë. Ata luajtën mirë kundër Uellsit, por mendoj se ne do të fitojmë”, theksoi Whitehead.
Por Morgenthal beson në të pamundurën, në atë që do të ishte trofeu i parë i SHBA-së në Kupën e Botës: “Po, ne do ta mposhtim Iranin patjetër. Ne do ta fitojmë turneun, pa dyshim, do ta fitojmë”.
SHBA-ja ka mbi 600 trupa që ofrojnë paqe dhe siguri në Kosovë që prej vitit 1999 në kuadër të NATO-s dhe ata thotë se nuk kanë qenë në një vend më të mirë se Kosova për të shërbyer.

Derisa një ushtar amerikan në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s nuk qëndron më gjatë se 6-9 muaj në Kosovë zakonisht, kjo është kohë e mjaftueshme për t’i bërë ata të bien në dashuri me vendin dhe njerëzit.
“Kam gjashtë javë që kam ardhur në Kosovë. Kam mbetur jashtëzakonisht i mahnitur se sa mikpritës dhe të këndshëm janë të gjithë njerëzit në Kosovë. Reagimi i parë në të cilin hasa kur fillova t’i takoj kosovarët ishte se njerëzit thjesht duan që ne të jemi këtu dhe kjo ishte e qartë në çdo bisedë që kisha me të tjerët”, tregoi McSwain.
Elliot nënvizoi: “Në Kosovë ndodhëm që dy muaj. Na pëlqen shumë këtu, vendi është shumë i mirë, njerëzit janë shumë të mirë. Kemi shkuar në shumë restorante, shkolla dhe organizata të ndryshme dhe ka qenë një kënaqësi e madhe për të gjithë ne.”
Ushtarët amerikanë dalin shpesh në grupore nga kampi në Ferizaj për të shëtitur nëpër qytete të tjera të Kosovës, si dhe me detyra të përcaktuar nga misioni dhe përvojat e tyre me qytetarët e Kosovës janë gjithmonë të mrekullueshme.

Disa prej tyre kërkojnë vazhdimin e qëndrimit në Kosovë pasi t’iu përfundojë misioni, dhe shumë të tjerë kthehen për ta vizituar Kosovën gjithmonë pas misionit.
Ata i cilësojnë kosovarët si njerëz mikpritës dhe të mahnitshëm.
“Kam një muaj këtu. E dua Kosovën. Është hera e parë këtu për mua dhe ka nisur shumë mirë. Në çdo vend që e kemi vizuar këtu jemi trajtuar me respekt. Ka qenë shumë mirë”, tregoi Morgenthal.
Whitehead tha: “Mendoj se (Kosova) është një vend shumë i bukur. Më pëlqejnë bjeshkët këtu, më pëlqen Prishtina dhe më pëlqen të udhëtoj përreth saj.”
“Njerëzit janë shumë të mirë dhe shumë mikpritës. Të gjithë janë mikpritës gjithmonë dhe thonë gjëra të mira, si përshëndetje. Njerëzit janë të mahnitshëm”, shtoi ai.