Batatina i vetëofrohet Kombëtares: Kurgja Daliqi s’do të bënte më shumë me Kroacinë sesa unë me Kosovën
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i është vetëofruar Federatës së Futbollit të Kosovës e cila është në kërkim të një trajneri të ri për Kombëtaren A pas shkarkimit të Alain Giresse, duke ngrehur paralele me trajnerin e famshëm aktual të Kroacisë, Zlatko Daliq.
Kosova është pa trajner qëkur Giresse, 70 vjeç, u shkarkua më 20 qershor, një ditë pas disfatës turpëruese të Kosovës kundër Bjellorusisë në Budapest.
Batatina, i cili e ka udhëhequr Llapin në Superligën e Kosovës vazhdimisht që nga viti 2019, beson se e ka përvojën e duhur tani për ta marrë në dorë një punë me kërkesa shumë më të larta.
“Kur kam qenë i gatshëm më 2013 ta marr Llapin në lloç, i cili ka qenë duke rënë në kategorinë e tretë, dhe (ta bëj) sot skuadër pretendente për (garat në) Evropë me atë nivel, tani pas 10 viteve jam i gatshëm ta menaxhoj një kombëtare siç është Kosova”, tha Batatina në Dueli Sportiv të dielën.

Batatina, 45 vjeç, e ka udhëhequr klubin nga Podujeva drejt fitimit të dy trofeve në Kupën e Kosovës, si dhe është fitues i Superkupës së Kosovës.
Por ai nuk ka qenë asnjëherë në gjendje ta fusë Llapin në garë për titull në ligë dhe është rrëzuar në rrethin e parë kualifikues për Ligën e Konferencës në debutimin e tij në kualifikime për garat evropiane për klube.
Prapëseprapë, ai pretendon se me Kosovën do të mundë të arrinte sa Daliqi, i cili cilësohet si trajneri më i mirë në historinë e Kombëtares së Kroacisë, pasi e udhëhoqi atë drejt vendit të dytë në Kupën e Botës 2018 dhe vendit të tretë në Botërorin 2022.
“Me këta lojtarë të ka Kosova, me nivelin në të cilin ata luajnë dhe me këto skuadra që ka (Superliga), besoj që kurgja Daliqi s’kish bo ma shumë me Kroacinë sesa unë me Kosovën në kualifikime evropiane dhe botërore”, shtoi ai.

Me Giresse në krye, Kosova veçse e ka humbur edhe një mundësi shumë të mirë për t’u kualifikuar për herë të parë në një garë të madhe, pasi pësoi një disfatë dhe barazoi tri herë në katër ndeshjet e parë në Grupin I kualifikues për Euro 2024.
Trajneri llapjan foli me vetëbesim se do të kishte më shumë sukses së paraardhësit e tij të mundshëm.
“Se a mund ta marr e ta menaxhoj, jam i gatshëm. Mund të them se nja 60 apo 70 për qind më shumë se dy selektorët e mëparshëm.. do të kisha suksese duke qenë se kemi futbollistë të jashtëzakonshëm, por duhet qasja me lojtarët, qasja organizative, qasja e komunikimit me ta, çështja e disiplinës dhe shumëçka. Duhet ta jetë një plan i qartë”, nënvizoi ai.
Trajneri i ri do ta marrë në dorë Kosovën me gjashtë ndeshje të mbetura në grup dhe me shumë pak gjasa për kualifikim.
Dardanët kanë rënë në vendin e parafundit në Grupin I kualifikues, me vetëm tri pikë, duke ngelur shtatë pikë larg lideres Zvicra, pesë pikë larg Rumanisë dhe katër pikë larg.
