Asllani: Jap çdo gjë në fushë, edhe zemrën | Bajrami: I lumtur për golin por pikët kanë më shumë rëndësi - NACIONALE

Asllani: Jap çdo gjë në fushë, edhe zemrën | Bajrami: I lumtur për golin por pikët kanë më shumë rëndësi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami, dy yjet e Kombëtares së Shqipërisë, që u përkujdesen për fitoren e kuqezinjve ndaj Ishujve Faroe, u panë të lumtur pas ndeshjes. Ylli i Interit tha se në fushë është në gjendje ta jap edhe zemrën, ndërsa Bajrami tha se ishte i lumtur për golin që shënoi, por më i lumtur për tre pikët.

Shqipëria mori fitoren e dytë në tri ndeshje sot, duke mposhtur në udhëtim Ishujt Faroe me rezultat 2:1 dhe tani renditet e dyta në grupin E, vetëm pas Republikës së Çekisë, e cila ka një pikë më shumë.

Asllani që shënoi gol të bukur nga distanca, pas ndeshjes tha: “Tashmë e kisha ndarë mendjen të gjuaja. Topi erdhi nga Nedimi dhe unë shënova golin. Asnjëra nga ndeshjet nuk është e thjeshtë dhe neve na mbetet të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Unë jap çdo gjë në fushë, edhe zemrën. Falënderoj trajnerin që më besoi që unë të luaja nga minuta e parë dhe besoj e shpërbleva, jo vetëm për golin. Të gjithë e dinë se kam dëshirë të gjuajë nga distanca. Disa herë topi sot shkoi keq, por në fund e gjeta cakun.”

Bajrami që shënoi golin hapës të takimit ishte i lumtur për golin, por më i lumtur për pikët e plota.

“I lumtur që shënova sot, por e rëndësishme që morëm tre pikë. Patëm raste të shumta, por kështu e ka futbolli. Ne nuk u dorëzuam për asnjë moment dhe erdhëm te fitorja. Nuk është e lehtë të përballesh me këtë skuadër, ngase janë skuadër të përqendruar në fizik. Në pjesën e dytë u futëm në lojë vetëm për të marrë fitoren. Kjo ka rëndësi.”

Shqipëria tani ndeshjet e radhës i zhvillon në muajin shtator, ku do të përballet me favoritët e këtij grupi, fillimisht me Republikën çeke më 7 shtator dhe tre ditë më pas me Poloninë, kjo e fundit zhvillohet në Arenën Kombëtare në Tiranë.

Lajme të ngjashme