Ekskluzive: Zhegrova largohet nga grumbullimi, do të mungojë në dy ndeshjet e radhës - NACIONALE

Ekskluzive: Zhegrova largohet nga grumbullimi, do të mungojë në dy ndeshjet e radhës

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Burime të ndryshme gjatë orëve të mbrëmjes i kanë thënë gazetës Nacionale se Edon Zhegrova nuk do të mund të luajë në dy ndeshjet që Kosova i ka në kalendar përballë Irlandës Veriore dhe Greqisë, pasi është larguar nga grumbullimi i kombëtares pas lëndimit që ndjente.

Të njëjtat burime ia konfirmuan gazetës më herët që Zhegrova akoma besonte që do të mund të luante, por përkundër dëshirës dhe vullnetit të tij, Giresse nuk do të mund të llogarisë tek ai. Sulmuesi 23-vjeç nuk ka marrë pjesë në tërë seancën e sotme stërvitore që ka zhvilluar Kosova.

Zhegrova pas dy paraqitjeve fenomenale ndaj Qipros, e pastaj ndaj Greqisë, synonte të vazhdonte me formën, por që në seancën e fundit, fatkeqësisht u lëndua. Disa orë më parë, lëndimin e yllit të Lilles e konfirmoi drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti.

Sahiti më herët konfirmoi që Zhegrova ka pësuar lëndim, por nuk dha detaje, ngase nuk e dinte shkallën e lëndimit.

“Është ende duke u marrë stafi mjekësor. Ende nuk dihet shkalla e lëndimit”, deklaronte ai para pak orësh për Nacionalen.

Mirëpo, zhvillimet e mbrëmjes dhe kontrollat tjera mjekësore, nuk lanë vend për ndonjë paqartësi. Zhegrova i mërzitur la kampin dardan, për t'u kthyer në shtëpinë e tij, para se ta fillojë fazën e kontrollave mjekësore shtesë.

Zhegrova qëkur u transferua në Lille ka bërë hapa të jashtëzakonshëm, duke u kalitur tej mase si lojtar. Ky përmirësim u vu re edhe në paraqitjet e tij me fanellën e Kosovës, duke filluar nga grumbullimi paraprak, ku shkëlqeu me paraqitje të mira.

Edhe në kampionatin francez ka shfaqur një pjekuri në lojë, e cila nuk refletohej më herët tek ai. Vetëbesimi, përgatitja më e mirë fizike - kanë bërë dallimin për t'u shndërruar në një lojtar që është gjithnjë e më shumë në qendër të projektit të Kombëtares së Kosovës.

Fatkeqësisht për të, grumbullimi i qershorit me Kosovën mbaroi pas dy ndeshjeve të para që i luajti përballë Qipros dhe Greqisë, ku me ç'rast shënoi edhe një gol. Më shumë sesa goli, u vërejt karakteri i tij i lartë që demonostroi në ndeshjet e sipërpërmendura.

Në vazhdim ai do t'u nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara mjekësore për ta konstatuar shkallën e lëndimit, e cila akoma nuk dihet.

Lille në fillim të muajit të ardhshëm ka në program fazën parapërgatitore për edicionin e ri 2022/2023 dhe tani mbetet për t'u parë nëse për Zhegrovën lëndimi i fundit që ka ndjerë në grumbullim me Kosovën do t'i rëndojë edhe te skuadra e tij.

23-vjeçari iu bashkua Kosovës në pranverën e vitit 2018. Gjatë miqësores së parë të luajtur nën drejtimin e ish-përzgjedhësit Bernard Challandes, më saktësisht kundër Madagaskarit në Francoville të Francës, ai shënonte golin e parë me fanellën e Kosovës, pikërisht në ndeshjen kur debutonte. Përgjithësisht, Edoni ka zhvilluar 28 ndeshje, duke shënuar 3 gola me dardanët.

Lajme të ngjashme