VV-ja i quan mësuesit analfabetë, harron se me trajnimin e tyre u morën bash Nagavci e Pupovci - NACIONALE

VV-ja i quan mësuesit analfabetë, harron se me trajnimin e tyre u morën bash Nagavci e Pupovci

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prej fillimit të grevës në sektorin e arsimit, mësimdhënësit kanë filluar të fyhen e sulmohen në aspektin profesional nga eksponentë të partisë në pushtet.

Ata nuk kanë kursyer as etiketime se mësimdhënësit janë analfabetë, duke harruar përgjegjësinë që kanë pasur në këtë fushë drejtuesit e sotëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Qendra për Arsim e Kosovës, e cila është udhëhequr nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka realizuar projekte me dhjetëra milionë euro që kanë pasur për qëllim trajnimin e mësimdhënësve dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Pjesë e shumë prej këtyre projekteve ka qenë edhe ministrja aktuale Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Që nga viti 2010, ajo ka qenë e angazhuar si konsulente, trajnere dhe këshilltare për arsim në programe të ndryshme në institucione vendore dhe ndërkombëtare.

Projektet e Qendrës për Arsim të Kosovës që kishin për synimin aftësimin profesional të mësimdhënësve kapin vlerën e rreth 50 milionë eurove.

Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit e ministrit për rezultatin e këtyre projekteve. Ndërsa qeveritarët kanë heshtur dhe nuk kanë pranuar asnjë lloj përgjegjësie në këtë drejtim.

Në këtë tekst gazeta Nacionale do të iu sjell projektet kryesore me të cilat ka menaxhuar Qendra për Arsim e Kosovës dhe që për synim kanë pasur trajnimin e mësimdhënësve.

Projektet milionëshe për trajnimin e mësimdhënësve

Ndër projektet më të mëdha që ka përfituar Qendra për Arsim e Kosovës ishte “Programi i arsimit themelor”, i cili ishte implemtuar nga shtatori i vitit 2010 deri në qershor të vitit 2016.

Projekti që kishte për partner dhe donator USAIDI-n dhe MASHTI-in kishte kushtuar hiç më pak 12,600,000 euro.

Synimi kryesor i projektit ka qenë përmirësimi i kapaciteteve të shkollave të Kosovës për të siguruar aftësitë e duhura për studentët si dhe përmirësimin e kapacitetit institucional të Qeverisë së Kosovës në sektorin e arsimit dhe për të përmirësuar cilësinë e arsimit fillorë.

Komponente e parë e projektit ishte rritja e kapaciteteve menaxhuese në mjedis të decentralizuar, duke përmirësuar aftësitë e menaxhimit të drejtorëve të shkollave, bordeve të shkollave dhe Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) në fushën e planifikimit, menaxhimit të shkollave dhe sigurimin e cilësisë.

Kurse, komponenti tre përfshinte përmirësimin e shërbimit të trajnimit të mësimdhënësve duke ndihmuar MASHT-in në ofrimin e një shërbimi për reformën e trajnimit të mësimdhënësve.

Një tjetër projekt i Qendrës për Arsim ishte “Mbështetja për zbatimin e qasjes terësektoriale në Arsim (SWAP)”. i cili ishte implementuar nga tetorit i vitit 2009 deri në dhjetor të vitit 2012.

Projekti që i kushtoi BE-së 2,868,460 euro, kishte për synim të mbështes Qeverinë e Kosovës në përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të ofrimit të arsimit dhe shërbimeve trajnuese, veçanërisht arsimin parauniversitar, në një perspektivë të të mësuarit dhe punësueshmërisë gjatë gjithë jetës, në përputhje me qasjen tërësektoriale (SWAp) për arsim, dhe në përputhje me standardet e BE-së.

Komponenti i tretë i projekti ka qenë zhvillimi i trajnimit të mësimdhënësve.

Projekt tjetër që ka fituar kjo qendër dhe që ka pasë për qëllimin trajtimin e mësimdhënësve dhe ngritjen e cilësisë është projekti i njohur si “Mjedis i digjitalizuar shkollor për të mbështetur mësimdhënësit dhe nxënësit për të mësuar gjatë tërë jetës”. Projekti është financuar nga UNICEF dhe që ka kushtuar 59,935.75 euro.

Sipas përshkrimit të projektit, rezultati i parë ka qenë përmirësimi i kapaciteteve të shkollave dhe mësimdhënësve për të ofruar mësimdhënie cilësore dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët, ndërsa rezultati i dytë ka qenë përmirësimi i cilësisë dhe efektivitetit të mjedisit mësimor digjital dhe përdorimit të mjeteve digjitale. Prej aktiviteteve kryesore të projektit ka qenë zhvillimi i moduleve të trajnimit për trajnerë për shkolla, organizimi i trajnimit për trajnerë me stafin e përzgjedhur mësimor për klasat 1-9 dhe ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve për përdorimin e teknologjisë digjitale për pedagogji gjithëpërfshirëse në komunat e përzgjedhura.

Po ashtu qendra kishte përfituar edhe “Grantet për Zhvillimin e Shkollave”(2017-2021” të ndara nga Ministria e Arsimit dhe Banka Botërore. Vlera e këtij granti ishte 277,671.80 euro.

Për këtë projekt, Qeveria e Kosovës kishte marrë një kredi nga Banka Botërore për të implementuar Projektin për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit në Kosovë (ESIP) i cili ka për qëllim të mbështes reformat në sektorin e arsimit të Kosovës. Grantet për Zhvillimin e Shkollave (GZhSh) ishte nën-komponent i projektit ESIP i cili implementohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nëpërmjet Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC). Projektikishte për qëllim forcimin e kapaciteteve të shkollave që financohen me fonde publike që t’i planifikojnë dhe t’i menaxhojnë burimet si dhe ta promovojnë angazhimin qytetar përmes pjesëmarrjes së mësimdhënësve, prindërve dhe komunitetit në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e aktiviteteve të shkollës.

Projekti synonte trajnimin e mësimdhënësve për ta mbështetur procesin e certifikimit apo të vlerësimit të nxënësve.

“Më mëso mua” (22/03/2016 deri 30/11/2018) ishte një projekt tjetër që ishte përkrahur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur(KFOS) me 304,942 mijë dollarë. Qëllimi i projektit ka qenë aftësimi i mësimdhënësve për të zhvilluar kompetencat e të nxënit të nxënësve të përcaktuara në Kornizën e Kurrikulës së Kosovës përmes shfrytëzimit të plaformës digjitale “SchoolMe”.

Projektet për mësuesit e matematikës

Organizata të ndryshme ndërkombëtare gjatë viteve kishin angazhuar Qendrën për Arsim e Kosovës edhe për trajnimin e mësuesve të matematikës.
Njeri prej këtyre projekteve ishte “Zhvillimi i programeve të trajnimit për mësuesit e lëndës së matematikës (klasat 1-5 dhe 6-9)”.

Projekti ishte mbështetur nga organizata GIZ me 40,631 euro dhe ishte implemtuar gjatë viteve 2011 dhe 2012.

Qëllimi i këtij projekti ishte zhvillimi i dy programeve të trajnimit për matematikë për klasat 1-5 dhe 6-9 si dhe ndërtimi i kapaciteteve të mësuesve për zbatimin e qasjeve në qendrat e reja të studentëve. Zbatimi i projektit ishte organizuar në tri kontrata të veçanta: Zhvillimi i programit të trajnimit për mësuesit në matematikë të përgjithshme (klasat 1-5) dhe trajnimi i trajnerëve; Hartimi i programit të trajnimit për mësuesit e matematikës (klasat 6-9) dhe trajnimin e trajnerëve; dhe Implementimi i programit të trajnimit të mësuesve për mësuesit e matematikës (klasat 6-9).

Ky nuk ishte i vetmi projekt i kësaj natyre. Një vite më vonë, organizata GIZ me mbi 5 mijë euro kishte mbështetur edhe programin “Zhvillimi i programeve të trajnimit për mësuesit e lëndës së matematikës (klasat e 5-ta).

Programi kishte për qëllim ndërtimin e kompetencave të mësimdhënësve për prezantim cilësor dhe kreativ të koncepteve të matematikës, diagrameve, modeleve, rregullave dhe marrëdhënieve që i përkasin kurrikulës së matematikës të klasës 5, si dhe zbatimin e suksesshëm të tyre në zgjidhjen e problemeve në matematikë, në lëndë të tjera dhe jetë të përditshme. Aktivitetet kryesore të projektit përfshinin zhvillimi i trajnimit udhëzues për mësuesit e matematikës.

Qendra kishte ndihmuar edhe fuqizimin e SBASHK-ut

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) është prej sindikatave më të sulmuar aktualisht prej militantëve të LV-së. Mirëpo, organizata e Dukagjin Pupovcit kishte ndihmuar në fuqizimin e kësaj sindikate.

Gjatë viteve 2013-2015, Bashkimi Evropiane kishte mbështetur këtë qendër me 213,256 e uro në projektin “Forcimi i rolit të SBASHK-ut në hartimin e politikave arsimore”(20/12/2013-19/12/2015).

Në përshkrimin e projektit thuhet se objektiva specifike e këtij projekti ishte forcimi i kapaciteteve të Sindikatës së bashkuar të arsimit shkencës dhe kulturës (SBASHK), për rritjen e pjesëmarrjes në dialogun social, politikëbërjes dhe vendimmarrjes. Aktivitetet e projektit kanë të grumbulluara në tri komponente të ndërlidhura. Komponenta e parë ka qenë përmirësimi i kapaciteteve organizative të SBASHK-ut, komponenta e dytë ka qenë rritja e bazës së anëtarësisë përmes zhvillimit dhe zbatimit të planit të komunikimit dhe futjen e shërbimeve të reja, kurse, komponenta e tretë ishte pjesëmarrja e SBASHK-ut në dialogun social dhe politikëbërje.

Opozita akuzon Nagvcin dhe Popovcin

Përfaqësuesit e opozitës kanë dalë në mbrojte të mësimdhënësve. Ata kanë kërkuar që Qeveria të distancohet nga fyerjet që po iu bëhen mësuesve dhe arsimtarëve nga njerëz të fuqishëm të pushtetit.
Në seancës e parë të Kuvendit për sesionin vjeshtor, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se përgjegjës për nivelin e mësimdhënësve në Kosovës janë edhe Arbërie Nagavci dhe Dukagjin Pupovci. “Sot jemi dëshmitarë që sindikata akuzohen edhe për cilësinë në arsim, jo ministre. Ju e dini mirë që kjo është kompetencë e ministrisë dhe jo e sindikatave. Ju vet keni qenë për afro dy dekada trajnere në projekt të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Prandaj, ju jeni njëra nga përgjegjëset e nivelit të cilësisë në arsim që është sot. Sepse përkundër që për këto trajnime jeni paguar me dhjetëra mijëra euro vetë po konstatoni se nuk ka cilësi”, ka thënë Qalaj.

Ai ka thënë se organizata e Dukagjin Popovcit ka marrë rreth 50 milionë euro projekte nga vendorët dhe ndërkombëtaret për aftësimin e mësimdhënësve.

Nuk duhet harruar këtu edhe faktin se organizata Qendra për Arsim e Kosovës, e cila është udhëhequr për dy dekada nga zëvendësministri i juaj z. Dukagjin Pupovci, ka përfituar projekte në fushën e arsimit, sidomos projekte ndërkombëtare afërisht 50 milionë euro. Të pakta janë projekte ndërkombëtare që kanë ardhur në Kosovë e që nuk kanë kaluar nga zyra e z. Pupovci dhe në shumë prej këtyre projekteve ju keni qenë e angazhuar si eksperte e trajnere”, ka thënë ai.

Me tej, Qalaj e ka pyetur ministren Nagavci se a janë analfabet mësimdhënësit.

“Ju dhe z. Pupovci keni trajnuar e menaxhuar trajnimin e pothuajse të gjithë mësimdhënësve dhe logjikisht i bije se ju edhe i njihni shumicën prej tyre. Prandaj, gjejë kurajën e deklarohu në këtë kuvend se a janë analfabet 70 për qind e mësimdhënëseve ashtu siç po deklarojnë eksponentët e juaj partner të MASHTI-it dhe qeverisë”, është shprehur ai, duke shtuar se heshtja e saj tregon se përkrah ato qëndrime.

Ministre, pse nuk thua publikisht që nuk ka asnjë dokument strategjik që është punuar nga ministra e që nuk është menaxhuar në të shumtën e herave nga Qendra për Arsim e Kosovës e z. Pupovci. Pra, njërin prej aktreve që ka më së shumti përgjegjësi për dështimin e cilësisë, sepse për këtë ka përfituar dhjetëra miliona euro e keni zëvendës tuajin”, ka thënë ai.

Kurse, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, nuk ka folur për përgjegjësinë që ka pasur si eksperte për trajnimin e mësimdhënësve.

Ajo ka treguar vetëm se ka qenë për 20 vite mësimdhënëse.

Para se të jem ministre unë kam qenë mësimdhënësve, kam punuar më shumë se 20 vite në arsim. Jam vajzë e dy mësimdhënësve, kamë pasur fatin e mirë që gjithë jetën time të jem e rrethuar me mësimdhënës të mirë që kanë ndikuar në formësimin time, andaj ato që i thoni ju mund të jen bindje të juaja, ose vetëm i thoni ashtu”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka shprehur respekt për shumicën e mësimdhënësve. “Respekt e mirënjohje për pjesën dërmuese të mësimdhënësve, keqardhje për situatën që na kanë sjell ndërhyje brutale, në radhë të parë të PDK-së e pastaj të tjerave në arsim”, ka thënë Nagavci.

Në biografin e prezantuar nga LV-ja, tregohet se Nagavci ka një përvojë të gjatë në fushën e arsimit dhe edukimit. Që nga viti 2010, ajo ka qenë e angazhuar si konsulente, trajnere dhe këshilltare për arsim në programe të ndryshme në institucione vendore dhe ndërkombëtare si: USAID, GIZ, Këshilli i Evropës, KulturKontakt Austria, MAShT, KEC etj.

Lajme të ngjashme