Qeveria nuk reflekton, greva vazhdon
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka treguar sot se nuk është arritur marrëveshje për plotësimin e kërkesave të tyre për ndërprerjen e grevës.
Përmes një komunikate për media, kjo sindikatë ka bërë me dije se në takimin e djeshëm me zyrtarët qeveritarë nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Për vazhdimin e grevës, sindikata ka fajësuar Qeverinë e Kosovës, e cila nuk po reflekton ndaj kërkesave të tyre.
“Me muaj të tërë Qeveria i ka ikur dialogut me sindikatat dhe nuk është angazhuar fare për zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në sektorin publik. Kjo qasje e gabuar ka sjell edhe deri të greva e përgjithshme që po vazhdon që nga 25 gushti dhe me këtë qasje të Qeverisë nuk dihet edhe sa do të zgjas. Këshilli Grevist i BSPK-së dhe ai i SBASHK-ut donin të besonin se më në fund po nis dialogu i sinqertë me Qeverinë dhe do të krijoheshin kushtet për arritjen e marrëveshjes së pranueshme, por takimi në MASHTI me ministren Nagavci e zv/ministrin Pupovci e pastaj takimi në Këshillin Ekonomik Social , në të cilin ishin përfaqësuesit e BSPK-së, disa nga Odat dhe përfaqësuesit e Qeverisë me përfaqësuesit kyç Hekuran Murati e Arbërie Nagavci”, është thënë në komunikatë.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, kryetari i Federatës sindikale të shërbyesve civil, Ali Gashi, por edhe përfaqësuesit tjerë të BSPK-së, sipas njoftimit, disa herë iu drejtuan me lutje përfaqësuesve të Qeverisë dhe pjesëmarrësve të tjerë që të debatojnë qetë dhe të ndihmojnë që të ketë takim të Qeverisë me përfaqësuesit e BSPK-së të gjendet një zgjidhje.
“Mirëpo debatet e kulturuara e gjithë këto lutje në fillim të takimit sikur i trimëruan Muratin e Nagavcin, që kushtëzonin pa të drejt se pa as edhe një takim dhe pa as edhe një marrëveshje të mbyllej greva. Kjo dëshmoi se ata ose nuk duan ose nuk dinë vërtetë as gjë për dialogun dhe veprimet sindikale. Greva ndodh kudo në botë për të nxitur Qeverinë për të ndodhur dialogu e ofruar zgjidhje të pranueshme për kërkesat e grevistëve në mënyrë që të mbyllet greva e në Kosovë përfaqësuesit e Qeverisë e donin të kundërtën dhe me qëllim të caktuar. Ata insistonin që të mbyllet greva e pastaj të bëhej, kinse, dialogu”, është thënë në komunikatë.
Sipas grevisteve, veprimet e qeverisë tregojnë se ata nuk duan dialog. “Kjo tregon se ata vërtetë nuk e duan dialogun e as zgjidhjen e kërkesave legjitime të grevistëve. Ata për të mos u parë nga opinioni qëndrimi i tyre dhe kryeneçësia nuk kishin ftuar as mediet që të përcjellin takimin në MASHTI e as në ambientet e Qeverisë”, ka përfunduar komunikata.
MASHTI kërkon që të ndërpritet greva
Për takimin që kanë pasur dje me këshillin grevistë, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që greva të përmbyllet dhe të hapen shkollat.
“Ministrja Nagavci theksoi që secili prej nesh e kemi obligim moral e ligjor të sigurohemi për mirëqenien e fëmijëve dhe garantimin e së drejtës së tyre për arsim. Me këtë rast, ajo kërkoi nga përfaqësuesit e SBASHK-ut, që mësimdhënësit që nga e hëna të fillojnë procesin mësimor ndërkohë që dialogu do të vazhdojë. Ndonëse greva është shpallur nga BSPK për 84 mijë zyrtarë publikë, ajo tha se pjesa më e madhe e punëtorëve janë në vendet e tyre të punës, kurse ata që po pësojnë nga greva e shpallur janë rreth 320 mijë nxënës që kanë mbetur jashtë bankave shkollore”, është thënë në njoftimin e ministrisë.
Në këtë takim, ministrja ka informuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në lidhje me masat e fundit të Qeverisë për pakon prej 150 milionë eurosh, ku përfshihen edhe mësimdhënësit, si dhe veprimet që i ka ndërmarrë MAShTI sa i përket përmirësimit të kushteve të mësimdhënësve.
“Ndërkaq, përfaqësues të Sindikatës kanë thënë se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet një zgjidhje për realizimin e kërkesës së tyre për 100 euro. Ministrja Nagavci tha se MAShTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme. Ndërkaq, ajo shtoi se diskutimet me SBAShK-un do të vazhdojnë sikur deri më tani. Ministria e Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit edhe njëherë bënë thirrje që, nga e hëna, të gjithë mësimdhënësit të jenë në shkolla dhe të fillojë procesi i rregullt mësimor”, është thënë në njoftimin e MASHTI-it.

