“Telefonata në Beograd”: Pse Kurti nuk shkoi në mërgatë për fushatën e VLEN-it? - NACIONALE

“Telefonata në Beograd”: Pse Kurti nuk shkoi në mërgatë për fushatën e VLEN-it?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, është i përfshirë kokë e këmbë në zgjedhjet presidenciale e parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Në këtë vend fqinj, Kurti ka përkrahur opozitën shqiptare, që tash njihet si VLEN. Përkundër se ishte paralajëmruarse do të ishte prezent në tubimin në Berlin me mërgatën shqiptare, Kurti nuk shkoi dje në Gjermani. Pse?

Së paku, ka dy deklarata në lidhje me mosshkuarjen e Kurtit në fushatën e VLEN-it në Berlin. Këto dy deklarata, shumë të ngjashme, kanë për perzonazh dy njerëz. Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, dhe Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, dhanë arsyetimet e tyre se pse Kurti mungoi në këtë tubim.

Që në hyrje të fjalës së saj, ministrja Haxhiu tha se kryeministri Kurti nuk arriti të vinte për shkak të cenimit të sigurisë nga Serbia. Megjithatë, Haxhiu tha se Kurti u ka bërë të fala.

“Për shkak të cenimit të sigurisë së vazhdueshme nga Serbia ka qenë e pamundshme që kryeministri Kurti të jetë i pranishëm, por më lejoni të shpreh të falat nga kryeministri Kurti” – tha Haxhiu që në hyrje të fjalës së saj para të pranishmëve, transmeton Nacionale.

Në këtë linje të arsyetimit ishte edhe Kasami, që është edhe kryetar i Komunës së Tetovës. Në fjalën e tij, Kasami përmendi telefonatën në Beograd dhe ushtrimet e ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.

“E dini, ka një element problematik në vazhdimësi në Ballkan, i cili po bën probleme dhe po vazhdon të bëjë probleme. Millosheviqi sot nuk është, por pinjollët e tij vazhdojnë të jenë gjithandej në Ballkan dhe të krijojnë probleme. Dhe sot në fatkeqësi të shqiptarëve, në momente të caktuara kur disa politikanë të korruptuar andej, qoftë në Prishtinë, Shkup apo Tiranë, kur kanë ndonjë shqetësim se duhet të ndodh ndryshimi, ata bëjnë një telefonatë si te ai kuizi i milionerit, thirrin mikun e tyre. Dhe fatkeqësisht miku i tyre në shumë raste gjendet në Beograd. Edhe sot në Maqedoni kur duhet të ndodhë ndryshimi, ndodhi një telefonatë e tillë dhe fatkeqësisht për zhvillimet që ndodhën, manovrat më të mëdha që po i bën Serbia në kufi me Kosovën, ia pamundësuan Albinit të Vetëvendosjes të jetë këtu, por nuk ia pamundësuan Albulenës dhe Vetëvendosjes të jetë në mesin tonë” – tha Kasami, duke e falënderuar ministren Haxhiu për pjesëmarrjen, transmeton Nacionale.

Tutje, Kasami vlerësoi se ka një frikë nga ana e politikanëve shqiptarë të korruptuar në Maqedoni të Veriut prej Kurtit, duke e cilësuar pushtetin e VV-së si të pakorruptuar.

“Prandaj, sot po këta pushtetarë të korruptuar, të cilët në emër të të drejtave të shqiptarëve kanë bërë miliona, po bashkëpunojnë si thonin ata vetë “edhe me dreqin” që të pamundësojnë ndryshimet. Prandaj edhe janë të shqetësuar edhe për përfshirjen e Albinit, edhe të VV-së, edhe të bashkëpunimit të shqiptarëve jashtë kufijve, të cilat na i kanë imponuar në të kaluarën” – shtoi Kasami.

Lajme të ngjashme