‘Keni vendosur të injoroni’: Për herë të dytë brenda ditës, ministrja Nagavci sulmon SBASHK-un - NACIONALE

‘Keni vendosur të injoroni’: Për herë të dytë brenda ditës, ministrja Nagavci sulmon SBASHK-un

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy herë brenda së shtunës, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci zgjodhi rrjetin social Facebook që të reagojë kundër Sindikatës së Arsimit, me të cilët përkundër takimeve të fundit, nuk arritën që të gjejnë zgjidhje për t’i dhënë fund grevës, në mënyrë që të fillojë procesi mësimor.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot konfirmoi nuk është arritur marrëveshje për plotësimin e kërkesave të tyre për ndërprerjen e grevës.

Për vazhdimin e grevës, sindikata fajësia Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre, nuk po reflekton ndaj kërkesave të tyre.

Nervozohet ministrja, përmend “shantazhin”

Nuk kaloi shumë kohë, reagoi edhe ministrja Nagavci, madje me dy shkrime brenda pak orëve.

Fillimisht, ajo u tregua e ashpër me sindikalistët, duke i cilësuar veprimet e tyre si “shtantazh”, për të cilat tha se ministria do të përdorë “anti-shtantazhin”.

“Çdo ditë jashtë klasave, ju bën me vetëdije ose jo, pjesë të agjendave të grupeve të interesit që asnjë interes të përbashkët me ju a me arsimin si fushë nuk e kanë. Përkundrazi, kanë kontribuar në gjendjen që e kemi të gjithë. Mësimi është mbi të gjitha. Greva ka kuptim kur nuk dëmton nxënësit dhe procesin mësimor. Në situatën aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojmë për vlerat antishantazh”, tha Nagavci.

Ministrja nuk u mjaftua me kaq, dhe para disa minutash, e bëri edhe një reagim tjetër, duke akuzuar grevistët se do të vazhdojnë me të njëjtat veprime, deri në plotësimin e 100 për qind të kërkesave.

“Greva është instrument demokratik dhe legjitim për vënien në pah të problemeve të punëtorëve, në secilin vend demokratik. Përtej specifikave historike e ligjore të secilit vend, praktikat gjithandej Evropës dhe botës e tregojnë një gjë: kur grevat janë të sinqerta dhe përdoren për t’i sjellë në agjendë të vendim-marrësve kërkesat e punëtorëve, ato nuk vazhdojnë edhe nëse nuk plotësohen 100% të kërkesave menjëherë. Kur nuk e kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por shantazhimin e palës tjetër, fshihen pas barrikadës së 100% të kërkesës, dhe atë menjëherë” – shkroi Nagavci mes tjerash.

Ajo e përmendi edhe masën e fundit ekonomike të prezantuar nga kryeministri Kurti, ku punëtoëve të sektorit publik, iu takojnë vetëm nga 50 euro.

“Por, kanë vendosur t’i injorojnë. Arsyen e vërtetë e dinë vetëm udhëheqësit e SBASHK-ut, por përfundimisht kjo arsye nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale”, ka shtuar ministrja Nagavci.

Çfarë duhet të dini rreth grevës?

Greva filloi më 25 gusht, megjithatë, situata u tensionua shumë më 1 shtator, kur mësimdhënësit nuk dolën në punë për të filluar vitin e ri shkollor.

Krejt kjo, i parapraiu kërkesës së Ministrisë së Financave që të sigurojë listat e grevistëve, për t’ua ndalur më pas pagesat. Edhe kështu ndodhi. Një numri të madh të punonjësve nuk u dolën pagat, gjë për të cilën Qeveria Kurti mori shumë reagime.

Në mesin e gjithë kësaj, Elvis Hoxha, ish-këshilltari i famshëm i kryeministrit Albin Kurti, linçoi publikisht kryesindikalistin Rrahman Jasharaj, duke u shërbyer me “fake neës”, sipas të cilave, ai ka qenë anëtar i një partie serbe.

Jasharaj më pas, në një rrëfim ekskluziv për Nacionale, mohoi të gjitha këto akuza nën emocione shumë të forta.

Hoxha vetëm pas reagimeve të ashpra që mori, vendosi që të kërkojë falje, duke pretenduar se është “informuar gabimisht”.

Kryeministri Kurti në anën tjetër, refuzoi të flasë për këtë, duke thënë se para gazetarëve nuk ishte në cilësinë e kryetarit të LVV-së.

Ai madje akuzoi edhe komunat, duke thënë se po bëjnë luftë ndaj shtetit.

“Ta bojkotosh shtetin do të thotë ta bojkotosh shtetin. Kemi bërë luftë për shkollë e ta bojkotojmë atë me greva ekstremiste. Iu bëj thirrje që të hënën të jenë në shkollë dhe t’u japin mësim të vegjëlve tanë. Jemi për mësimdhënësit, por edhe për nxënësit. Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, zotëri Atdhe Hykollin me bashkëpunëtorë ndërkaq ministrat e mi kanë takuar degës sindikale të BSPK-së”, tha ai.

Presidentja Osmani ndërkaq, pavarësisht se tentoi të mbajë një qëndrim unifikues, sërish mbajti anën e kryeministrit, duke e lavdëruar një pako prej 150 milionë euro që e prezantoi para pak ditësh.

Lajme të ngjashme