Vrasja në QKUK: Skandalizoi me postimet në Facebook, por Kurti 'skandaloz' edhe në Twitter me heshtje - NACIONALE

Vrasja në QKUK: Skandalizoi me postimet në Facebook, por Kurti 'skandaloz' edhe në Twitter me heshtje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy reagimet e kryeministrit Kurti për vrasjen makabre të gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së në Facebook kanë bërë bujë për shkak të fjalëve të pamatura të tij. Por, si qëndron puna me Twitterin?

“...dy shqiptarë më pak do të jenë duke menduar armiqtë tanë!” – tha kryeministri i Kosovës gjatë ditës së djeshme në statusin e titulluar “Dy engjëj në qiellin e pistë”.

Më pas, në një fjali tjetër problematike: “...Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte.”

E sot, në një status të titulluar “Marrëveshja xhentëllmene me dhunuesit familjarë” ai u shpreh mes tjerash si vijon: “Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme.”

Aty, Kurti do ta përsëriste në dy raste në mënyrë identike shfajësimin e tërthortë se “Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje.”

Por, ndryshe qëndron puna në Twitter. Kryeministri nuk ka shkruar asgjë për këtë rast aty ku shkruan në gjuhën angleze. Postimi i tij i fundit është për liberalizimin e vizave, gjatë ditës së djeshme.

Mirëpo, del se Kurti në Twitter nuk shkruan gati asnjëherë për problemin e dhunës ndaj grave.

Aktivistja Venera Cocaj ka bërë një status publik në profilin e saj në Facebook, duke e kritikuar kryeministrin pikërisht për një gjë të tillë.

“Kryeministri po flet që dhuna në familje nuk duhet me qenë private. Në të njëjtën kohë në Twitter kurrë nuk flet për dhunën dhe vrasjet (e grave) brenda Kosovës, por vetëm në Facebook në gjuhën amtare.” – ka shkruar ajo.

Kurti në anën tjetër është kritikuar edhe që shkrimet e tij për komunitetin LGBTIQ i bën vetëm në Twitter dhe jo edhe në Facebook në gjuhën amtare.

Lajme të ngjashme