Reagimet tmerruese nga liderët politikë për vrasjen e gruas shtatzënë në QKUK: Albin Kurti, Vjosa Osmani, Ramush Haradinaj - NACIONALE

Reagimet tmerruese nga liderët politikë për vrasjen e gruas shtatzënë në QKUK: Albin Kurti, Vjosa Osmani, Ramush Haradinaj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një grua shtatzënë u vra sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Siç ndodh rëndom, politikanët nuk ndalen së reaguari në Facebook. Por kësaj here, disa prej këtyre reagimeve ishin tmerruese dhe tregojnë për mungesë të ndërgjegjjes së mjaftueshme për t’u përballur me problemin.

Ky është rasti i dytë i vrasjes së një gruaje brenda një jave. Ditë më parë u vra nga burri i saj, një arsimtare e shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë. Ndërkohë, dhuna ndaj grave (kryesisht nga burrat e tyre) vazhdon të jetë e përditshme bazuar në raportet e Policisë së Kosovës.

Por, duket se reagimet bëhen thjesht sa për të kryer rendin, e me këtë, bënë edhe huqje të mëdha në postime.

Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës përdori teknikën e tij të zakonshme për të përshkruar rastin. Kishim të bënim me një prozë poetike, që përmbante fjali të shkurta mes të cilave dy prej tyre ishin skandaloze.

“Edhe një burrë që qëllon mbi ruan që duhej ta mbronte.” – është fjalia e parë problematike e Kurtit. Kjo fjali, relativizon realitetin e hidhur patriarkal në të cilin jetojnë gratë në Kosovë, dhe ku shumë shpesh “mbrojtja e burrave” përdoret si pretekst për t’i marrë të drejtat e për t’i dhunuar ato.

Kjo u evidentua edhe nga aktivistja Zana Avdiu, që i tha Kurtit se “qikjo mendësi vret. Qikjo mendësi jep të drejta burrit mbi gruan, mbi jetën dhe sigurinë e saj.”

Por, Kurti do të vazhdonte të thurte fjali problematike.

“...dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë.” – shkroi ai duke i dhënë një dimension nacionalist gjithë problemit në mënyrë të panevojshme. Në këtë formë, kryeministri relativizoi përsëri problemin që është thjesht dhe vetëm gjinor: dhuna e burrave ndaj grave. Edhe kjo fjali u interpretua si patriarkale nga aktivistë për të drejta të grave.

Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj dënoi aktin por mbrojti “traditën tonë shqiptare” që konsiderohet të ketë fajin kryesor në këtë rast, për shkak të karakterit patriarkal të saj.

“Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore” – u shpreh ai.

Kjo nuk ishte aspak e vërtetë dhe nuk meriton komente shtesë.

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës bëri një reagim më të gjatë dhe në mënyrë të ashpër denoncoi vrasjen. Por, edhe ajo e shkroi një fjali të pafalshme në Facebook që përforcon shumë komente patriarkale që i marrin cilësorin “burrë” burrit që kreu vrasjen, duke provuar të shpëtojnë nga denoncimi rolin e burrit tradicional.

“Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.” - u shpreh presidentja.

A mund të ketë zgjidhje të këtij problemi madhor nga një mendësi e tillë? Një gjë të tillë, po e mësojmë rast pas rasti.

Lajme të ngjashme