Viti 2022 'baksuz' për kosovarët, zhyten në kredi e humbin 161 milionë euro në Trust - NACIONALE

Viti 2022 'baksuz' për kosovarët, zhyten në kredi e humbin 161 milionë euro në Trust

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Përdërisa bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare kanë korrur shumë fitime neto përgjatë këtij viti, kursimet pensionale të kosovarëve janë tkurrur. Deri në gusht, Trusti ka humbur mbi 160 milionë euro, duke shkurtuar bilancin e kursimeve. Ndërsa, afër 100 milionë euro është fitimi neto i bankave gjatë 2022-ës. Të gjitha këto, ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve, gjersa njohësit e ekonomisë e vlerësojnë 2022-ën si vit të vështirë për shtetasit kosovar.

Pra kosovarët gjatë këtij viti kanë humbur kursimet pensionale në vlerë prej 161 milionë dhe kanë hyrë në kredi më shumë, dhe atë me një normë më të lartë vjetore. Për më shumë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë një analizë të zymtë për zhvillimin ekonomik, duke parashikuar rritje vetëm prej 2,7% më 2022.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku tregohen informata të hollësishme në lidhje me sistemin financiar të Kosovës, kthimi në investimet e Trustit është me bilanc negativ. Saktësisht, minus 161 milionë euro janë në llogaritë pensionale të qytetarëve të Kosovës.

Vlera e përgjithshme e kursimeve në Fondin Pensional të Kosovës është 2 miliardë e 283 milionë euro, nga të cilat 2 miliardë e 274.5 milionë janë pjesë e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ndërsa 8.5 milionë i takojnë Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve.

Në anën tjetër, kosovarët u goditën edhe nga kreditë e shumta që mbajnë nëpër banka. Pra qytetarët po vazhdojnë të hyjnë në borxh në bankat, përderisa infalcioni vazhdon të jetë një nga çështjet më problematike të tyre gjatë vitit 2022.

Përveç fitimit neto prej 98 milionë eurove, sipas raportit BQK-së, janë rritur edhe vlera e përgjithshme e kredive familjare.

Konktreisht, 174.1 milionë euro u lejuan nga bankat komerciale si kredi familjare dhe 93.2 milionë të tjera për korporata jo financiare.

Nëse krahasohet me muajin korrik, vërehet një rritje e shumës së kredive gjatë muajit gusht dhe, sipas ASK-së, ndryshimi vjetor për kredi u rrit në 18,6 për qind në gusht në krahasim me korrikun, që ishte 18 për qind.s

Norma e interesit përgjatë këtij viti, pra janar-gusht 2202, tek institucionet mikrofinanciare në muajin gusht 19.4 për qind.

Inflacioni

Inflacioni në shtator, sipas ASK-së, ishte 12,7%, duke u vërejtur shtrejntim në disa nga produktet esenciale të cilat konsumohen gjerësisht.

Përgjatë muajve të fundit, Kosova është përballur me vazhdimisht me inflacion të lartë, duke shkuar deri 14,2 për qind në muajin korrik dhe 14,1 për qin në gusht.

Deri në gusht të këtij viti, kostoja e ushqimit dhe e transportit ishte rritur me pothuajse 20 për qind, duke varfëruar akoma më shumë shtresat me të ardhura më të ulëta, shkruan Nacionale.

Isa Mustafa, ish-kryetar i LDK-së dhe ekonomist për nga profesioni, shkroi gjatë të dielës se viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën.

Viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën. Vlerësimet e këtij muaji nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%. Rritje më të ulët (2.4 %) parashihet të ketë vetëm Bosnja dhe Hercegovina. Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë.”, shkroi Mustafa.

Sipas njohësit të ekonomisë, Florin Aliu, gjersa Kosova po shënon rënie ekonomike, nuk mund të flitet për vende të reja të punës.

Kosova po shkon në një spirale ekonomike të rënies, pasi sipas Bankës Botërore inflacioni po kap nivelin 20%. Është e pamundur të flasësh për vende të reja pune dhe rritje ekonomike kur je përballë një niveli kaq të lartë inflacioni.”, tha Aliu për Nacionale.

Kujtojmë që pushteti aktual, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe vartësin e tij, Besnik Bislimin, vazhdojnë të pretendojnë që Kosova ka rritje të madhe ekonomike.

Madje, së fundmi, Bislimi, që njihet për deklarata shpeshherë të kritikueshme, theksoi se Kosova ka pasur rritjen më madhe në Evropë.

Lajme të ngjashme