Vali Corleone ndër vite: Rrahu prindërit, “bleu” tokë në mars e përfundoi në psikiatri - NACIONALE

Vali Corleone ndër vite: Rrahu prindërit, “bleu” tokë në mars e përfundoi në psikiatri

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Personaliteti viral në internet, Vali Corleone, ka rrëmbyer kryetitujt të enjten në mëngjes, pasi siç e konfirmoi Policia e Kosovës, ai është plagosur nga një grua 22-vjeçare. Andaj është e rëndësishme të reflektojmë mbi të bëmat e gjilanasit ndër vite.

Popullariteti i tij si personalitet i deklaratave sensacionale, ku përfshihet blerja e tokës në një planet tjetër, angazhimi me grupet sekrete që sundojnë botën, e thënia me bindje se pop ikona, Michael Jackson është gjallë.

Këto në fakt janë vetëm disa prej atyre që të kujtohen me një reflektim sipërfaqësor derisa po shkruaja këtë artikull, derisa deklaratat e tij e të bëmat vijnë në lloj-lloj forma bizare e të përçudshme.

Mirëpo, deklaratat e tilla që nënvizojnë turpërimin publik të tij si karakter nuk janë herët e vetme kur ai rrëmben vëmendje, derisa në të kaluarën është akuzuar për gjëra të tjera shumë më serioze.

Shembull, në mars të këtij viti ai përfundoi në prangat e policisë nën akuzat se ka dhunuar pa mëshirë prindërit e tij në shtëpinë e tyre në Kosovë, derisa ai është arrestuar edhe në të kaluarën për dhunë në familje.

Pas rastit të marsit 2022, Gjykata vendosi ta dërgojë për një muaj paraburgim në psikiatri të njëjtin.

Deklaratat sensacionale të Vali Corleones

“Mendoj që ‘Cosanostra’ e ka kriju koronavirusin për hakmarrje të intelegjencës së globit”, kishte thënë ai në një prononcim për T7 në maj të vitit 2021.

“Me ‘C’ fillon emri coronavirus dhe me c fillon edhe emri Cosanostra”, shtoi ai tutje duke dhënë këtë tezë interesante në përkrahje të teorisë së tij se Cosanostra realisht solli koronavirusin në botë.

Në një prononcim të mëhershëm, ai madje potencon se ka ndalur luftëra nëpër vende të ndryshme nëpër botë.

“Kam ndalë luftë në Siri, Afganistan, Irak. Kom ndalë refugjatë mos me hy në Evropë. Kam thënë Jerusalemi i takon Izraelit dhe Presidenti Trump e ka zbatu. Këto janë disa sekrete globale të kingit”, në një prononcim tjetër për ‘EliteShow’ ishte shprehur i njëjti.

“Kom kalu 11 mijë plumba me jetën, 10 mijë thika, snajpera, bomba dhe jam gjallë”, shtoi ai.

Tutje, në një prononcim tjetër në vitin 2019, ai tregon si ujku i ishte hedhur në gjoks por ishte larguar me t’u konfrontuar me të.

“Ujku në mal, në orën 02:00 të natës, m’u ka afru ngat dhe dy shputat e ujkut m’i ka qitë në gjoks. Dhe, ujkut i kom thonë ‘ulu’, u ulë. ‘Ec prej këtuhit’, ka shku dhe nuk e kam pa më”, ishte shprehur ai.

Deklaratat e mëhershme senzacionale

“Illuminati m’ka shkru dhe për momentin është pak tu m’kopju në Facebookin e vet me gjërat e mia që i publikoj në Facebook.“

”Jam 80 për qind i krishterë dhe 20 për qind mysliman”, ka thënë Vali, duke shtuar se ka tokë edhe në planetin mars.

“Kam blerë 736 hektarë tokë në planetin Mars. E kam kojshi Kim Jong-un (presidenti komunist koreano-verior). Tokën në Mars ma ka blerë e dashura ime miliardere ruse“, është një tjetër deklaratë e Valit.

Në një prej paraqitjeve të fundit, në maj të vitit 2022, ai është paraqitur në një video ku pretendon se është duke ngrënë tru krokodili, në një tjetër episod bizar të tij nga një mori sosh ndër vite.

Është e qartë se i njëjti ka pasur probleme të vazhdueshme me ligjin, me shenjat që kanë qenë evidente në secilin prononcim, deklaratë e paraqitje publike të personit në fjalë.

Lajme të ngjashme