Rënia e Unikkatilit: Qe do arsye pse njerëzit e kanë distancu veten prej tij - NACIONALE

Rënia e Unikkatilit: Qe do arsye pse njerëzit e kanë distancu veten prej tij

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Arenë e zbrazët, fansa të zhgënjyer e një Unikkatil që bëri përpëlitjen e fundit për ta shpëtuar veten nga turpërimi i mëtutjeshëm.

Disa mund të drejtojnë gishtin me pretendime faji nga Klan Kosova që nuk i bëri marketing si duhet eventit ku u përfshinë edhe disa meçe MMA. Por, e vërteta është se kemi të bëjmë me Unikkatilin - ikonën e padiskutueshme të shqip-hopit... a nuk duhej të mjaftonte veç ky emër për të mbushur një hapësirë modeste të KlanArena?

U raportua për një numër pjesëmarrësish prej 300 personash, të cilët përfunduan duke bllokuar hyrjen e asaj që po quhet 'KlanArena', në kërkim të rikthimit të parave. Arsyeja qe e thjeshtë: krejt çka panë ishin ca burra duke u rrahur në kafaz, me heroin e natës që thuhet të ketë qenë prezent, por refuzoi të performonte. Normal, cili artist me mend në kokë do ta bënte?

Me këtë ngjarje në kokë, sot erdha në redaksi duke reflektuar gjerë e gjatë mbi arsyet – e di, pak me vonesë, por ka të bëjë me gazetarinë dhe multifunksionalitetin. E dini sa gjëra të tjera duhet t’i bëjë një vdekatar si unë gjatë ditës?

Qe disa arsye pse Unikkatili mund të mos e ketë impaktin që e kishte dikur në popull.

Arti i fryrjes ka ndryshuar

"Kejt veshja me mbiemra, hala fly flatra n'themra. Dal n'qytet, m'ngucin femnat, e çeli telefonin kejt zemra. Pasha nanën nuk po rrej zemër, ça kom veshë kushton sa ni veshkë zemër", thotë Buta te kënga ‘z. Ndjenja’, e që është shembull perfekt për të nënvizuar atë çka realisht përfaqëson gjenerata e re në hip-hop.

Për disa prej jush që e lexoni, kjo mund të duket budallallëk, epo... nuk ka gjë më mikluese për një të ri në të 20-at se kjo. Në fakt, konsiderohet si diçka absolutisht monumentale për valën e re në hip-hopin kosovar.

Në anën tjetër, qe çka thotë Unikkatili në rreshtat hapës te kënga e re:

"Kur u konë vendi bosh e luani s'ka rujtë

Atëherë hienat kanë dalë e kanë lujtë

Tinza si p*dha, kungja tu gjujtë

Synu ni kurorë që u konë e tjetërkujt."

Impresive, apo jo? Po, dorën në zemër. A është diçka që përfaqësoj unë si person në fund të 20-ave, apo a ka të bëjë me realitetin tim të përditshmërisë? Absolutisht jo.

Nënvizimi i egocentricitetit lirikisht tash vjen në forma të tjera. P.sh."dal n'qytet m'ngucin femnat, e çeli telefonin kejt zemra", derisa lirikat e tilla ku përfshihen metaforat me luana e hiena për të treguar pushtet në industri, i takojnë një audience tjetër dëgjuesish më të vjetër, që mund ta kenë kristal të pastër periudhën e luftës, atëherë kur mangupllëku e elementet patriotike si shqiponja e flamuri kanë qenë fenomene për mburrje në botën e hip-hopit. Në këtë grup përfshihen edhe artistët e dëgjuesit e shqip-hopit të stilit të ‘Rebelit’, larg të qenit diçka që mbush arena në vitin 2022.

Përmbajtja

Pavarësisht aftësive brilante për të rimuar, edhe pse ndoshta jo me elementet rrëqethëse të dikurshme, Unikkatili duket të jetë zhytur në një labirint të përsëritjes së tematikave, relevancën e të cilave e ka shkelur koha. Një zhvendosje e tillë, ka ndodhur me çdo segment tjetër social, politik e kulturor.

Krejt çka duan të rinjtë sot është të duken flutur, të dëgjojnë diçka kreative, jo domosdoshmërisht të mbimenduar, dhe të ndihen 'cool' në dehje e sipër me të.

Koha e të bërit hip-hop duke u fokusuar në vlera morale, mangupllëk klasik, që tashmë është anakronik, me kapela ‘NY’ të gjërave me vulë në kaçketë. Kjo ka ecur bashkë me tetrisin e nintendon, me të cilët pak 20-vjeçarë janë të familjarizuar sot.

Të 20-at është periudha e artë e ngazëllimit e entuziazmit për të dëgjuar hip-hop dhe pikërisht kjo audiencë është ajo që targeton hapësirat si ajo e KlanArenas, kur një hip-hop artist i njohur prenotohet të performojë.

Tek unë personalisht, kurrë nuk gjen përfaqësim në kokën time mendimi që realisht të futem në YouTube për të lëshuar e për të dëgjuar një këngë të Unikkatilit për qejf.

Pavarësisht se ende e ka atë elementin e dëgjimit të parë, në kuptimin 'ok, paska publiku kongë Unikkatili, po e ngoj çka paska bo', rrallëherë ose kurrë më lë përshtypje për rikthim të mëvonshëm për një dëgjim të dytë apo të tretë.

Mund të thoni se ky mund të jem veç unë, e që nuk përfaqëson ndjesinë gjenerale në audiencë - epo kam një arenë të tërë që zë mijëra persona, e ku shkuan veç 300, si dëshmi përkrahëse të kësaj hipoteze.

Njëmend, çdo tentativë për të denigurar Unikkatilin si reper dhe të bëmat e tij në të kaluarën është e sikletshme, e kotë, e thjesht jokredibile.

Njeriu me një foto shkaktoi tërmet absolut në krejt kombin. Mirëpo, tash thjesht po flasim pse ngazëllimi rreth tij është në rënie të lirë.

Mosha e dëgjuesve

Një arsye tjetër solide pse Unikkatili dështon të mbushë arena këto kohë, është për shkak të moshës së fansave që i rrinë besnikë. Ndryshimi i gjeneratave ka qenë evident nga koha kur ai ka qenë në top-formë, e jeta normalisht se tash i ka zënë edhe ata me preokupime jetësore. Burra e gra me fëmijë, me kriza të tipit 'qysh me u bo idare', pak duhet të përfshihen e të lidhen emocionalisht me narracionin e shkuarjes në KlanArena se Unikkatili po performojka aty.

Kontributi i tyre mund të vijë në formën e klikimeve në YouTube nga kolltuku i shtëpisë, duke ushqyer beben në njërin krah, e me gjysmë vëmendje nga loja impresive e fjalëve për kohën e kapelave të gjera 'NY' me vulë në kaçketë. Por, jo me entuziazmin e dëshirën sa për të paguar një biletë 50, 70, 100 euro për ta parë nga afër.

Seksizmi mënjanë - burrat, me dopaminë të mbistimuluar nga jeta, e kanë të pamundur të garojnë me djemtë që krejt çka kanë në mendje është qejfi, çikat, alkooli, e jo vetëm.

Me Unikkatilin, disponimi i vetëm që fiton është të shikohesh mërrolët me ndonjë burrë tjetër në një klub nate.

Lajme të ngjashme