Vali Corleone u plagos në këmbë, Spitali i Gjilanit jep detaje - NACIONALE

Vali Corleone u plagos në këmbë, Spitali i Gjilanit jep detaje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vali Corleone, një personazh i njohur për deklaratat e tij të çuditshme, sot është plagosur në Gjilan. Autorja, sipas njoftimit zyrtar të Policisë, është një 22-vjeçare. E ajo tashmë ka përfunduar në pranga, nën dyshimin për vrasje në tentativë, teksa Policia ka konfiskuar një pistoletë me 40 fishekë.

Për gjendjen shëndetësore të Corleones ka folur Spitali i Gjilanit, duke dhënë detaje për gjendjen shëndetësore.

Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai para pak minutave u lirua në shtëpi nga ana e stafit mjekësor.

Spias mjekëve, Vali u plagos në këmbë. E e dyshuara për plagosjen e tij është një 22-vjeçare.

“U trajtua në Kirurgji. Gjendja shëndetësore e tij është stabile. Plagë pacienti në fjalë ka pasur në ekstremitetet e poshtme, në këmbë. Për momentin ai është në gjendje të qetë. Mjekët sapo më informuan se ai u lirua për në shtëpi”, i tha Nacionales doktor, Uka nga Spitali rajonal i Gjilanit.

Plagosja e Corleones

39-vjeçari Vali Corleone, që shpeshherë ka përfunduar edhe vetë në pranga, ka përfunduar i plagosur gjatë mëngjesit.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Gjilanit, Corleone është lënduar si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante. Sipas raportit të mjekut viktima P.C. (1983) Shqiptar, shtetas i Kosovës është jashtë rrezikut për jetë. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se e dyshuar në lidhje me rastin është një femër Shqiptare shtetase e Kosovës viti i lindjes (2000), e cila dyshohet se ka shkrepur nga arma”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje, Policia thekson se ende nuk dihen motivet e sulmit, ndërsa të dyshuarës tashmë i janë dhënë 48 orë mbajtje nga Prokurori nën dyshimin për vrasje në tentativë.

Ndërsa Policia ka konfiskuar një pistoletë.

“Një armë Pistoletë dhe dyzet (40) copë fishekë të të njëjtës armë janë konfiskuar në vendin e ngjarjes si prova materiale për Gjykatë. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që të ngritët Kallëzim Penal për ,,Vrasje në tentativë’’ dhe e dyshuara të ndalet në mbajtje për 48 orë , gjersa Policia e Kosovës, Njësiti i Hetimeve Rajonale Gjilan janë duke i hetuar rrethanat e incidentit”, përfundon njoftimi.

Kush është Vali Corleone?

Gjilanasi është një nga personazhet më të çuditshme të skenës publike. Me deklaratat e tij, shpeshherë seksiste, të pamatura, e aspak normale, ai është bërë temë e diskutimit në media.

Për vite me radhë, ai ka dhënë intervista për mediume të ndryshme duke shkaktuar shpesh të qeshura, por edhe duke vënë në dyshim gjendjen mendore të tij.

Në mediume, ai theksonte se ha çokolatë me kilogramë, se ka blerë tokë në mars, e shumë deklarata të tjera të natyrës së çuditshme. Madje, ai vazhdimisht ka pretenduar se është pjesë e familjes mafioze italiane "Cosa Nostra".

Në mars të vitit të kaluar, Corleone ishte arrestuar nga Policia, pasi kishte kanosur babain e tij.

Po ashtu, pas arrestimit të tij, Policia kishte thënë se ai dyshohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme në familje, duke i kanosur prindërit e tij.

Pas lirimit nga burgu, ai u detyrua të kërkojë ndihmë në psikiatri.

Lajme të ngjashme