Tetori rozë për vetëdijësimin mbi kancerin e gjirit: Çka duhet të dinë gratë për shërbimet që ofrohen?
“Jam duke u trajtuar me Kancerin e Gjirit, më ka lodhur mjaft shumë por jam e sigurt në vetvete se një ditë do ta mposhtë këtë sëmundje. Kam përkrahjen e secilit në jetë, si në familje, në shoqëri dhe çdokund tjetër. Nuk jam viktimë e kancerit, jam duke luftuar me kancerin. Tash është Tetori Rozë do të kemi përkrahje edhe më shumë.”
Kështu ka deklaruar një e prekur nga Kanceri i Gjirit për Gazetën Nacionale, por që e njëjta ka dashur të mbetet anonime.
Tetori Rozë njihet në të gjithë botën si muaji për vetëdijesimin e trajtimit të Kancerit të Gjirit.
Në vendin tonë, në shumë qytete përgjatë këtij muaji do të ofrohet mamografi falas.
Në Prishtinë, Prizren dhe në Rahovec, gratë dhe vajzat gjatë muajit tetor mund të pajisen me mamografi.
Edhe pse mamografinë mund ta bësh në qytete të ndryshme, trajtimin e sëmundjes mund ta bësh vetëm në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Klinika e Onkologjisë në QKUK është qendra e vetme për trajtimin e Kancerit të Gjirit në vendin tonë, por as kjo klinikë nuk ofron shumë kushte.
Drejtori i kësaj klinike, Arben Bislimi në një prononcim për Gazetën Nacionalen ka treguar se kanë mungesë të stafit infermierë.
“Klinika e Onkologjisë është e vetmja qendër për trajtimin e te sëmurëve malinj në vendin tonë. Stafi mjekësor përbehet nga 20 mjekë onkologë, prej tyre 13 në repartin e Kimioterapisë dhe 7 në atë të Radioterapisë. Në edukim të vazhdueshëm profesional janë 4 specializantë. Kemi mungesë të stafit infermierë në të dy repartet duke pasë parasysh numrin e madh të pacientëve që marrin shërbime në planin ditor në klinikën tonë (mesatarisht 250 pacientë në kimioterapi dhe 100 në atë të Radioterapisë),” - ka deklaruar Bislimi.
Drejtori i Onkologjisë gjithashtu ka thënë se deri në fund të vitit pritet një rritje prej 10-15% të rasteve me kancer të gjirit.
“Në bazë të dhënave që kemi në kliniken tonë, numri total i rasteve të reja me sëmundje malinje deri në fund të muajit gusht është 1009. Nga ky numër i përgjithshëm, numri i rasteve të reja me kancer të gjirit është 265. Krahasuar me vitin paraprak, dhe trendin e pacientëve që frekuentojnë në klinikën tonë, parallogaritim deri në fund të vitit një rritje prej 10-15% të rasteve me kancer,” ka thënë ai.
Klinika e Onkologjisë dhe Shoqata e Onkologëve kanë planifikuar që gjatë muajit tetor, të ketë aktivitete të shumta në partneritet edhe më shoqata të tjera.
“Derisa nuk ka mënyrë tjetër prezence duhet të fokusohemi në detektimin e hershëm përmes ngritjes së vetëdijes në masë, me rekomandimet për mamografi dhe vizita të mjeku me kohë. Motoja e fushatës mbetet "Zbulimi i hershëm, mbijetesë"’, ka bërë të ditur për Nacionalen Bislimi.

.jpg)