Lufta e vështirë e Fitores me kancerin
Luftën me kancer të gjirit po e vazhdojnë shumë gra kosovare. Sipas të dhënave nga zyrtarë të Institutit të Onkologjisë së QKUK-së, përgjatë dy muajve të parë të këtij viti, në Kosovë janë diagnostikuar 72 raste të reja me kancer të gjirit. Gazeta Nacionale në vazhdim sjell rrëfimin e një gruaje që me plot vullnet e ka mposhtur betejën me sëmundjen.
Ishte viti 2019 kur Fitore Zenelaj, atë kohë 29-vjeçare, zbuloi se në trupin e saj jo gjithçka po shkonte në rregull. Një prekje në gjoks që pa dashje ia bëri vajza e saj e vogël, çoi në ekzaminime të thella të cilat zbuluan se ishte e prekur nga kanceri i gjirit.
Por sëmundja që Fitorja barte në trupin e saj u zbulua me vonesë. Jo nga pakujdesia e saj, por nga paaftësia e doktorit për ta diagnostifikuar me kohë sëmundjen që ajo e bartte. Ndoshta edhe krejt në fillim.
Për Nacionale.com, Fitorja ka rrëfyer me detaje për luftën e mundimshme, por të pamposhtur ndaj kancerit.
“Vajza e vogël ma ka prek mua gjëndrën. E kam vërejtë. I thashë shokut po du me shku te mjeku se kam diçka. Shkova te mjeku. Ai më tha jo, që s’kam asgjë. Më tha ki gjëndër si gjitha gjëndrat e tjera dhe më tha me ardhë pas gjashtë muajve”, - rrëfehet Fitroja.
Mjeku i rekomandoi Fitores që të vizitohej edhe njëherë pas gjashtë muajsh, duke i thënë se ishte mirë.
Por sëmundja veçse kishte avancuar.
“...kur shkova sëmundja kishte avancuar nga stadi i dytë në gati të tretin, e që unë e kam përshtypjen se kur kam shku në vizitë te ky mjek kam qenë krejt në fillimin të sëmundjes”, - thotë ajo.
“Pritje e gjatë për Biopsi, u desh ta bëja privat, analiza ishte e kushtueshme”
Përveç gjendjes emocionale e shëndetësore e cila është në shumicën e rasteve e rënduar trajtimi i sëmundjes së kancerit është i kushtueshëm financiarisht e në disa raste gati i papërballueshëm.
Njëjtë ishte edhe për Fitoren, tash 31-vjeçare, nga Prizreni.
“Pas gjashtë muajve e kam bë direkt biopsinë, pas dy ditëve doli rezultati. Drejt të kem se nuk më ka shkua mendja që kam kancer. Në moshën 29 vjeçe jam diagnostifiku me kancer. Pra dy viteve. Isha shumë këmbëngulëse, andaj ia dola mbanë. Sigurisht pritja në spital të shtetit për me e bë biopsinë ishte tejet e gjatë. Andaj u detyrova me e ba në privat, e cila kushtoi shumë, dhe ishte e papërballueshme për mua. Trajtimin e kam vazhduar në Institutin e Onkologjisë në QKUK pa pagesë, por infuzione shtesë dhe ilaçet e tjera unë i kam pagua vet. Tani vazhdoj me hapa dhe me një gjiplanë çdo 3 muaj, e të cilën duhet me e ble vetë. Vetëm një kushton mbi 130 euro”, - rrëfehet ajo.

Por luftën ajo thotë se e fitoi vetëm me besim e me mbështetje të personave nga të cilët është rrethuar gjatë gjithë kësaj kohe.
“Unë veç iu kam drejtu Zotit. Kam thanë ai na ka në dorë dhe me ndihmën e tij dhe sigurisht të mjekëve. Në këtë betejë, mbështetja morale është shumë e rëndësishme. Krejt këtë punë e kam marrë me shumë sportivitet. Njëjtë kanë shku edhe terapitë që i kam marrë, i kam përjetua shumë më lehtë.”
Për dy muaj 72 raste të reja me kancer të gjirit
Në dy muajt e parë të këtij viti në Kosovë janë diagnostifikuar edhe 72 raste të reja me kancer të gjirit.
Ilir Kurtishi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë në QKUK, për Nacionale ka dhënë detaje rreth shifrave me këtë sëmundje.
Kurtishi thekson se është shenjë e mirë ngase shumica nga këto raste e kanë zbuluar sëmundjen në stad të hershëm.
“Mund t’ju them se në dy muajt e parë, janë detektuar 72 raste të reja me kancer të gjirit. Gjysma e rasteve me kancer janë në stadin e tretë apo të katërt. Gjysma tjetër janë në stadin e parë dhe të dytë”, - thotë Kurtishi.
Ai tregon edhe për moshën mesatare të grave të prekura me kancer të gjirit.
“Mosha mesatare e të prekurave që vijnë në klinikë tek ne është 50-60 vjeç. Megjithatë, kontrollat onkologjike duhet të nisen prej moshës 40 deri në 45 vjeçe. Nëse zbulohet më herët, fuqia e mjekimit është më e madhe”, - thotë Kurtishi.

E gjatë vitit 2021, në të gjithë Kosovën, nga kanceri i gjirit janë prekur 410 gra kosovare.
Ndërkohë gjatë vitit 2019, kanë qenë 380 raste të reja me kancer të gjirit, derisa këtë vit, sipas onkologut Kurtishi, sipas parashikimeve që ata i kanë përllogaritur, numri i grave që diagnostifikohen me kancer për vitin që e lamë pas, është rritur për 15 për qind.
Ndërkaq prej numrit të përgjithshëm të të prekurve me kancer në Kosovë, te gratë prin kanceri i gjirit, derisa te meshkujt ai i mushkërive, ndërkaq mosha mesatare e të prekurve, është rreth 50 vjeç.
Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë./Nacionale.com/