Studentët i mirëpresin 100 eurot e Qeverisë Kurti, por kërkojnë edhe më shumë para
Kohë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të subvencionoi studentet me një shumë prej 100 eurosh. Aktualisht kjo thirrje për subvencionim është hapur dhe studentët kanë mundësi që të aplikojnë për përfitimin e kësaj shume, pavarësisht nëse ata studiojnë në universitete publike apo private.
Kjo nismë e Qeverisë Kurti është pjesë e pakos për përballjen me inflacionin, nëpërmjet të cilës ekzekutivi synon t’i ndihmojë qytetarët që po përballen me ngritjen e çmimeve.
Studentët e intervistuar nga gazeta Nacionale vlerësojnë se një shumë e tillë, ndonëse e vogël, është e mirëseardhur. Megjithatë një ndihmë e përmuajshme, sipas tyre, do të ishte më e mirëseardhur.
E duket se kjo i ka gëzuar më së shumti studentët e universiteteve publike, të cilët nuk paguajnë për semestër, pasi Qeveria Kurti ka vendosur që arsimi i lartë publik të jetë falas.
Pak para në kohë krize
Flora Balanica, studente e masterit në Universitetin e Prishtinës, e vlerëson si hap të qëlluar ndarjen e 100 eurove nga ana e Qeverisë Kurti.
"Unë mendoj që përderisa edhe semestri është pa pagesë, këto 100 euro janë veç plus. Dmth që është një nismë e mirë, që kanë vendos me i shpërnda", tha zonja Balinca.
Njëjtë mendon edhe Altiana Zogaj, studente në UP, e cila tha se kjo shumë ndihmon sadopak.
"Shtesat për studentët janë një ndihmë që sado pak munden me ndihmu, por nëse e krahasojmë me inflacionin i bie që mund të kryhen shumë pak shërbime. Kjo shumë varion edhe nga drejtimet në fakultete të ndryshme edhe shfrytezimi që studentët e bëjnë më këtë shumë. Për disa, 100 euro janë vetëm udhetim në qytetet mbi 50 km. Shuma qe po jepet, padyshim që vleresohet nga ne si studentë, por me 100 euro nuk shtyhet semestri!", tha Zogaj.
Të mirëseardhura shtesën prej 100 eurosh e cilëson edhe z.Drilon Bytyqi, student.
“Mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë për neve si student, pasi që për shumicën e studentëve financues për të vijuar studimet janë familja, dhe jo të gjithë kanë para mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha shpenzimet. Kjo ndihmesë sa do e vogël mendoj se duhet të bëhet më shpesh për studentët.”, tha studenti Drilon Bytyqi.
Rita Krasniqi, studente në Kolegjin AAB, ka thënë për Nacionalen se kjo shumë e ndarë prej 100 eurosh është një ndihmë shumë e vogël për student.
Por, ajo vlerëson se shpenzimet në kolegjin privat janë të shumta.
“Shuma prej 100 eurosh e mënduar nga Qeveria për t’u shpërndarë është një ndihmë shumë e vogël për student, sidmos neve që jemi në kolegje private, mëqenëse shpenzimet janë shumë të larta përfshirë këtu edhe rritja e madhe e çmimeve”, ka thënë Krasniqi për Nacionale, duke shtuar se një ndihmë e tillë do të duhej të bëhej çdo muaj.
Ndërsa, Halil Osmanaj, student i mjekësisë në Kolegjin UBT tha për Nacionalen se kjo shumë është e mjaftueshme për të kryer disa shpenzime.
“Ndërsa si sfidë tjetër që hasim shumë student te cilet janë banor te ndonjë qyteti tjetër është kostoja e udhëtimit dhe mëndoj se këtu do ishte një ndihmesë e madhe nëse qeveria do merrte ndonjë vendim apo do jepte grante te herë pas hereshme për studentet udhëtues”, ka thënë ndër të tjera Osmanaj.
E njëjta histori përgjigjesh është edhe nga studentët e tjerë të universiteteve publike të kontaktuar nga Nacionale.
Fatjona Kastrati, studente në Univeristetin e Prizrentit “Ukshin Hoti”, ka thënë se nisma e Qeverisë është e mirë, meqenëse nuk ka obligime financiare edhe aq të larta në fakultet.
“Kjo shumë e ndarë nga Qeveria nuk është e knaqshme mirëpo prap se prap meqenëse nuk kemi edhe aq shumë obligime financiare nuk është edhe keq”, është shprehur Kastrati për Nacionale.
Por, Ardijnana Avdijaj, studente në Kolegjin AAB, i tha Nacionales se me një shumë të tillë, ajo mund ta paguajë vetëm një muaj të studimeve.
Duke qenë banuese në Prishtinë, ajo vlerësoi se shpenzimet janë shumë më të mëdha se ndihma e ofruar nga Qeveria.
“Kjo shumë prej 100 eurove mundëson pagesën e këtit mujor të fakultetit në këtë kolegj, ndërkohë që një shumë më e madhe dhe më e shpeshtë do të kishte qenë një ndihmë për ne meqenëse janë shtrenjtuar edhe çmimet e produkteve përfshirë këtu edhe rritjen e çmimit të biletave të autobusave për udhëtim që e kemi të domosdoshëm dhe më patjetër”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se është hapur aplikimi për studentë për mbështetje nga Pako për Përballje me Inflacion, që do të jetë i hapur deri më 6 nëntor.
“Të drejtë aplikimi kanë të gjithë studentët aktivë që studiojnë në programet e akredituara në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Murati.
Ai gjithashtu është shprehur se pas mbylljes së aplikimit, listat do të verifikohen me institucionet arsimore të akredituara, dhe listat e konfirmuara do të procesohen për pagesë.
Në anën tjetër, më një shumë të ngjajshme ekzekutivi i pati subvencionuar studentet edhe në muajin qershor, që sipas Qeverisë Kurti kanë përfituar rreth 80 mijë studentë.


