Kosovarët po frikësohen nga krizat: Kursejnë më shumë se kurrë nëpër banka - NACIONALE

Kosovarët po frikësohen nga krizat: Kursejnë më shumë se kurrë nëpër banka

3 vjet më parë

nga Blendrita Avdiu

Ndonëse vazhdimisht raportohet për rritje enorme të çmimeve në vend, kosovarët del se janë mjaft kursimtarë. Vetëm deri në muajin gusht të këtij viti një pjesë e qytetarëve ua kanë besuar bankave mbi 5 miliardë euro, ndërkohë që një pjesë tjetër del se kanë shumë të përafërt të borxhit, pra 5 miliardë po ashtu.

Raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosvës (BQK), “Sistemi Financiar Informata Mujore Gusht 2022”, tregon se depozitat e qytetarëve në banka komericiale në vend ka arritur në një vlerë prej 5 miliardë e 206 milionë e 100 mijë eurove, ndërkohë që shuma e kredive po ashtu ka kapur vlerën e 4 miliardë e 178 milionë e 800 mijë eurove.

Në po të njëjtin raport thuhet se nga gjithë kjo shumë e kursimeve, 3.524.700 miliardë ishin të ekonomive familjare, 1,048.500 miliardë ishin të korporatave jofinanciare dhe 262.1 milionë ishin të korporatave të tjera financiare.

Deri në këtë kohë, shihet se kapitali vetanak i bankave ishte 695 milionë euro.

Në anën tjetër, shihet se ndryshimi vjetor në depozita në muajin gusht ishte 11.8 për qind. Për ekonomitë familjare ishte 11.4 për qind, për korporata jofinanciare ishte 13.7 për qind si dhe për korporata të tjera financiare ishte 26.3 për qind.

Krahasuar me një muaj paraprak, pra muajin korrik depozitat kanë shënuar rritje për mbi 200 milionë euro. Vetëm deri në muajin korrik shuma e depozitave të qytetarëve nëpër 11 bankat komerciale në vend ishte 5,006.300 miliardë euro. Nga gjithë kjo shumë e kursimeve 3,451 miliardë euro ishin të ekonomive familjare, 957.6 milionë euro ishin të korporatave jofinanciare dhe 260.9 milionë të tjera ishin për koporata të tjera financiare.

Mirëpo sa ka qenë shuma e kursimeve të qytetarëve në përiudhën e njëjtë të vitit paraprak?

Krahasuar me përiudhën e njëjtë të vitit paraprak (gusht 2021) shihet se shuma e kursimeve të qytetarëve nëpër banka ka qenë më e ulët se tani.

Deri në muajin gusht të vitit 2021, shuma e kurismeve që kishin qytetarët në banka ishte 4,655.800 miliardë euro, pra që i bie 550 milionë euro më shumë depozita këtë vit.

Nga kjo shumë e kursimeve 3,164.300 miliardë ishin të ekonomive familjare, 922.1 milionë euro të koporatave jofinanciare dhe 207.5 milionë të tjera ishin të korporatave të tjera financiare.

Erblina Selmanaj, i ka thënë Nacionales se gati prej 10 vitesh e përdor bankën si opsion për kursime të parave. Ajo tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë keqkuptim lidhur me kursimet që ka bërë, ndonëse pohoi se kursimet i mban në llogari rrjedhëse.

“Mund të jenë bërë afer dhjete vjet prej se unë e përdori bankën si opsion për kursimet e mia. Deri më tani nuk kam pasur asnjë problem edhe pse kursimet i bëjë vetëm përmes llogarisë rrjedhëse,” - ka thënë Selamanaj.

Ajo tutje tha se ndihet e sigurt për kursimet që bën përmes bankës pasi që sipas saj përdorimi i llogarisë bankare është bërë i domosdoshëm për kryerjen e shërbimeve.

Mëqë përdorimi i llogarisë bankare është shndërruar në nevojë të domosdoshme për kryerjen e shërbimeve të ndryshme, nuk më lë edhe aq hapësirë për ndonjë pasiguri. Fakti që unë kam zgjedhur bankën, nënkupton që tanimë kam krijuar një lloj besimi në shërbimet e saja për kursime,” - ka thënë tutje ajo.

Edhe Anita Ahmeti, ka treguar se prej afro dy vitesh ka kursyer para në bankë, ndonëse aktualisht nuk kursen. Ajo tha se kursimet i ka bërë përmes llogarisë së kursimeve.

Ndryshe, edhe Jehona Zogaj ka pohuar për Nacionale se për gati 10 vite kursen në bankë. Ajo thotë se ndihet e sigurt për kursime që bën përmes bankës se sa i parave të gatshme.

Unë kursej gati që 10 vite dhe me duket një mënyrë e mirë e kursimit përmes llogarisë së kursimeve pasiqë është më e sigurt sesa kursimi i parave të gatshme,” - ka thënë ajo.

Mirëpo meqenëse raportohet vazhdimisht për rritje të çmimeve dhe krizë ekonomike në Kosovë çka ka bërë që depozitat këtë vit në krahasim me vitin e kaluar të rriten?

Ekonomisti, Besnik Avdiaj, në një prononcim për Gazeten Nacionale ka thënë se në kohë krizash, rritet prirja për kursim të parasë së gatshme, për shkak se e panjohura dhe çrregullimet e shpeshta të tregut, përçojnë mesazhe pasigurie për të ardhmen.

Qytetarët, por edhe bizneset priren ta kursejnë paranë që ta kenë si aset për përdorim në situata emergjente. Shumë biznese i shkurtojnë shpenzimet në kurriz të aktiviteteve jo të domosdoshme, e ngjashëm edhe qytetarët ulin shpenzimet për të mira të luksit,” ka thënë Avdiaj.

Ai gjithashtu tha se nëse shihet në tri vitet e fundit, depozitat e qytetarëve kanë pësuar rritje, por raporti mbetet pothuajse i njëjtë në totalin e depozitave në bankat komerciale. Sipas tij, kjo çështje kërkon studim të thellë ngase paraqet më shumë se sa thjesht fenomen afatshkurtër shoqëror.

Arsyet mund të jenë të shumta, por patjetër që në mesin e tyre është fakti që struktura ekonomike e vendit tonë nuk inkurajon investimet e vogla, qoftë në ndërmarrje private, qoftë në fonde të përbashkëta investive,” ka thënë ndër të tjera ai.

Avdiaj tha se qytetarët kanë kursyer gjithmonë dhe një nga arsyet e kësaj vlere të lartë të depozitave, mund të lidhet lehtësisht me vlerën e lartë që hyn në treg nga mërgata, qoftë përmes remitencave, qoftë përmes formave direkte të pagesave gjatë qëndrimit në vend, qoftë përmes investimeve private, por edhe përmes ekonomisë joformale.

Edhe ekonomisti, Milazim Abazi, gjithashtu tha për Nacionale se kursimet në Kosovë vazhdimisht kanë shenuar rritje në mes 5 deri në 13% për qind në vit.

Sipas tij, këtë vit për tetë muaj rritja e kursimeve ka qenë 10.6% ndërsa e kredive mbi 18%.

Rritja e kursimeve zakonisht ndodh kur qytetarët hezitojnë të investojnë ose kur ende nuk e kanë formesuar idenë se ku duhet të orjentohen për të investuar. Kur ke mungesë të idesë së investimit apo kur ke mungesë guximi për te investuar, rruga më e mirë është kursimi në bankë,” - ka thënë Abazi për Nacionalen.

Ai gjithashtu tha se edhe përkundër rritjes se vazhdueshme të kursimeve në banka në Kosovë, vendi ynë është ende nën mesataren e kursimeve për kokë banori në regjion.

Lajme të ngjashme