Qeveria Kurti ia numëron sërish vetes ngjarjet, fut në top-listë një shkollë në Ponoshec por jo vizitën e Escobarit - NACIONALE

Qeveria Kurti ia numëron sërish vetes ngjarjet, fut në top-listë një shkollë në Ponoshec por jo vizitën e Escobarit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe këtë javë, Qeveria Kurti ia ka numëruar vetes “Top-5 ngjarjet me Qeverinë Kurti II”. Çka po përmendin tash?

Ishte një javë ‘e nxehtë’ me diskutime të shumta në lidhje me çështjen e dialogut të Kosovës me Serbinë. Në një mënyrë u konfirmua prania e një propozimi për një marrëveshje brenda “çështje javësh”.

Veçanërisht Escobar kishte deklarata mjaft të forta. Ndërkohë, po gjatë javës së kaluar u arrit një marrëveshje me operatorin serb Elektrosever përkundër mosplotësimit të kushteve brenda afateve të përcaktuara në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve.

Por, asnjë nga këto nuk i bëri përshtypje Qeverisë Kurti II.

Ngjarja kryesore e Qeverisë Kurti është medalja e argjendtë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një garë ushtarake. Nuk dihet se cili ishte kontributi i Qeverisë në këtë arritje.

Ngjarja e dytë më kryesore është “fillimi i nënshkrimit të kontratave të subvencionimit të pajisjeve efiçiente të energjisë për qytetarët.” Ky ishte një lajm i mirë, megjithëse nuk dihet se a do të mjaftojë 6 milionëshi i ndarë për të përballuar krizën energjetike.

Si ngjarje e tretë është përmendur ekzekutimi i shtesave prej 100 eurove për 233 mijë pensionistë.

“Kjo është hera e tretë në 12 muajt e fundit që pensionistët përfitojnë nga mbështetja e Qeverisë.” – shkruhet në grafikonin e përgatitur.

Ngjarja e katërt më e rëndësishme sipas Qeverisë Kurti II është vlerësuar hapja e aplikimit për studentë për mbështetje prej 100 eurove, si pjesë e Pakos për Përballje me Inflacionin.

Dhe, ngjarja e fundit e vendosur si më e rëndësishmja në këtë top-listë është “vendosja e gurthemelit të Shkollës në Ponoshec dhe të çerdhes në lagjen Rezinë të Gjakovës.”

Nuk dihet se cilat janë kriteret e përdorura nga Qeveria Kurti për ta vlerësuar një ngjarje si ngjarje.

Megjithatë, është vështirë e besueshme që as vizita e z. Escobar por as vizita e z. Lajçak të mos cilësohen si ngjarje. Në anën tjetër, meqë në këtë listë përfshihen edhe institucione tjera jashtë Qeverisë së Kosovës, nuk dihet pse nuk është përfshirë Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që u organizua nga presidentja Vjosa Osmani.

Lajme të ngjashme