Afera e jaranave, akuza e Kurtit e "përplasja" me Bislimin: Pse Liburn Aliu u la jashtë Kryesisë së VV-së? - NACIONALE

Afera e jaranave, akuza e Kurtit e "përplasja" me Bislimin: Pse Liburn Aliu u la jashtë Kryesisë së VV-së?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vazhdimisht ka qenë ndër njerëzit më të afërt të Albin Kurtit. Por, pushteti, e më konktretisht mënyra të ushtruarit të pushtetit, duket t’i ketë larguar Albin Kurtin dhe Liburn Aliun. Ish-deputeti e tash ministri i Infrastrukturës nuk është përfshirë në asnjërën nga strukturat e reja të Lëvizjes Vetëvendosje.

Aliu, që është ndër figurat e vjetra të VV-së, nuk u votua as për në Kryesi të partisë, e as nuk u zgjodh në ndonjërën nga pozitat që lakmohen shumë në LVV. Dyshimet për korrupsion dhe përplasja me Kurtin dhe “hijen e tij”, pra Besnik Bislimin, dyshohet t’i ketë kushtuar Aliut me “zhvendosje” nga partia.

Siç merr vesh Nacionale, Aliu nuk ishte fare prezent në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së. Për më shumë, Aliu nuk shihet asgjëkundi në fotografitë e postuara nga LVV në faqen zyrtare të partisë, e as në profilin e Kurtit.

Edhe Aliu e ka injoruar krejtësisht si ngjarje, duke mos postuar asnjë fotografi apo urim për Kryesinë e re të LVV-së.

Por, edhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, e ka pësuar keq, duke mos u përfshi në pozitat e larta të LVV-së.

Afera “Jarant e Liburnit”

Në qershor të këtij viti Nacionale, në njërën nga episodet e “Ditarit të Buzhalës”, botoi një përgjim ku dëgjoheshin të flisnin “dajallarët” e Florent Ramqajt, këshilltar i ministrit Aliut. Në përgjime, ata ia kërkuan 20 mijë euro një kompanie që ishte zgjedhur për të përfunduar një rrugë nga Dollci në Gjakovë.

E pas publikimit, përgjimi u komentua shumë, duke ngjallur debat të madh për dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Infrastrukturës, e cila drejtohet nga Aliu dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, që po ashtu ka mbetur jashtë organeve drejtuese të VV-së.

Madje, mënyra se si Aliu vendosi të mbrohej karshi përgjimeve ishte më se skandaloze. Ai ishte shfaqur aspak komod, duke qenë krejtësisht i nervozuar, i paartikuluar mirë e me përsëritje të fjalive të njejta, të keqmësuara përmendësh.

Natyrisht, ai kishte mbrojtur Florent Ramqajn, dajallarët e të cilin qenë përfshirë në përgjime, duke shtuar se e njeh “Dajën e Vetëvendosjes”.

Është e motivuar politikisht”, deklaronte Aliu, me një pasiguri në të folur.

Për më shumë, ai ishte bërë edhe “detektiv”, duke dyshuar në vërtetimin e përgjimeve, ndonëse emri i tij përmendej aty.

"Në incizim nuk dihet se kush ishte, nuk dihet se kush po fliste, dhe kjo u bë të dukej sikur të ishin dy persona të një kompanie që po flisnin", vlerësonte Aliu, në një përpjekje të dëshpëruar për të thënë diçka kredibile.

Pas aferës “Jaranat e Liburnit”, Florent Ramqaj ishte thirrur për sqarime në Kryeministri, ndonëse edhe ai, edhe shefi i tij vazhdojnë të jenë pjesë e Qeverisë Kurti II.

Ndërsa, siç raportonte Nacionale, Kurti në një bisedë e kishte akuzuar Aliun se po “qëndronte” në ndeja me oligark. Një akuzë e rëndë aq më shumë nga shefi i partisë.

A ia pa sherrin Nacionales dhe ndejës me oligark?”, është pyetja që kërkon një përgjigje. Nartyrisht nga ata që sot e drejtojnë LVV-në, përfshirë vetë ministrin Aliu, i cili ende nuk e ka komentuar kryesinë e re.

Ndasia…

Por, ka edhe një tjetër shpjegim se pse Aliu ka mbetur jashtë organeve udhëheqëse të LVV. Siç shkruante Nacionale katër muaj më parë, një ndasi mes gardës së vjetër të udhëhequr nga Aliu dhe Besnik Bislimit tashmë ka nisur.

Burime të Nacionales sqaronin se “kasta e vjetër” e VV-së, me Liburn Aliun në krye dhe kjo e reja me Besnik Bislimin, pas tensioneve që janë krijuar mes tyre, po shikohen vëngër me njëri-tjetrin.

Burimet theksonin se arsyeja e kësaj përplasje është “diskriminimi” ndaj aktivistëve të vjetër të VV-së, nga zëvendëskryeministri Bislimi, i cili ka mbledhur në VV e Qeveri ish-studentët e AUK-ut.

Por, duket se në fund, fitues doli Besnik Bislimi, pasi për dallim nga Aliu, vartësi i Kurtit është përfshirë në Kryesinë e LVV-së. Për më shumë, aty ka mbledhur edhe disa njerëz të afërt politikisht me të, si bie fjala Hekuran Murati.

Nuk dihet se si do të vazhdojë karriera e Aliut brenda në LVV dhe se si do të menaxhohet kjo ndasi, megjithatë një gjë është e sigurt: Liburn Aliu është veç ministër e aktivist i thjesht i LVV-së. Nuk është më drejtues i partisë më të madhe në Kosovë.

Lajme të ngjashme