Njësiti A3 ende jashtë funksionit, “shkaku i punimeve” disa komuna janë nga 5 orë pa rrymë - NACIONALE

Njësiti A3 ende jashtë funksionit, “shkaku i punimeve” disa komuna janë nga 5 orë pa rrymë

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Që nga dita e premte, Korporata Energjetike e Kosovës, ka njoftuar për ndaljen 4 deri 5 ditore të njësisë A-3. Kjo sipas tyre po bëhet shkaku i disa problemeve teknike, ani pse ndalja e këtij blloku nuk do të ndikojë ndonjë gjë në reduktime.

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike, Skënder Bucolli tha për gazetën se situata është e njejtë siç është raportuar më herët, pa ndryshime.

“Ndalja e njësisë A-3 është 4,5 ditore ashtu siç kemi njoftu, do të thotë nuk është lëshuar ende. Por kjo nuk shkakton reduktime. KEK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike”, tha Skënder Bucolli për gazetën.

E ngjashëm thonë edhe nga KEDS-i, për gazetën. Viktor Buzhala thotë se ky punim, nuk po shkakton reduktime.

Aktualisht nuk ka ndërprerje”, tha zëdhënësi i KEDS-it.

Disa nga komunat pa rrymë deri në 5 orë, KEDS: Shkak punimet e domosdoshme

Në Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë e Gjilan, gjatë ditës së sotme banorët kanë mbetur pa rrymë deri në 5 orë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë se kjo nuk lidhet me mospunimin e njësisë A-3, por me punimet e domosdoshme.

“Këto vendet ku janë njoftuar se nuk do të kenë rrymë, arsyeja është punimet e domosdoshme të cilat po bëhen në rrjet”, shtoi Buzhala.

Qytetarët e komunës së Gjilanit, të cilët kanë mbetur pa rrymë nga ora 10:00 e deri në 15:00, shpresojnë që kjo gjë të mos zgjatë shumë ditë, pasi të njejtit frikësohen se pas afrimit të stinës së dimrit, do të thellohet problemi me energji.

“Shpresojmë shumë që janë veç punime edhe që nuk zgjasin shumë. Sepse tash ka fillu koha me u ftohë edhe kemi fillu me u tutë që mos po kemi shumë krizë qysh u folke do ditë”, thotë Blerta Haliti.

“5 orë diku s’kemi pas rrymë, thanë që në dalje të Binçës ka ndërprerje. Këto punime lutemi që mos me u lanë bash shumë afër dimrit, se problem është me orë mos me pasë rrymë”, tha Shkurte Mehmeti.

Kriza me energjinë

Para një muaji, në Kosovë nisën reduktimet të cilat zgjatën rreth dy javë.

Fillimisht, qytetarët nuk kishin energji elektrike nga dy orë në ditë, por me kalimin e kohës, në disa vende pati reduktime nga tre e katër orë.

KEDSI kishte njoftuar atë kohë se kjo ndodhi pasi që nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.

Kosova për disa ditë siguroi energji elektrike nga Shqipëria, më pas kaloi në një krizë më të thellë, deri kur u rregulluan blloqet.

Për çështjen e energjisë elektrike, Kurti zhvvilloi këtë javë një vizitë në Shqipëri krejt e paparalajmëruar, ku takoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Ndërkaq, për krizën energjetike të Kosovës, kishin shkruar edhe disa prej mediave më prestigjioze në botë, si Reuters dhe The Guardian.

Lajme të ngjashme