“Shumë të rënda”: pesha e çantave ende problem për fëmijët, kërkohet intervenim - NACIONALE

“Shumë të rënda”: pesha e çantave ende problem për fëmijët, kërkohet intervenim

3 vjet më parë

nga Blendrita Avdiu

Rëndesa e çantave të fëmijve në shkolla i ka alarmuar disa prindër. Materialet e shumta shkollore dhe mungesa e dollapëve në objektet arsimore, ka bërë që shumë prindër të shqetësohen për shëndetin e fëmijëve të tyre, duke u ankuar edhe publikisht për probleme shëndetësore të mundshme.

Pajtime Gashi, nënë, ankohet për peshën e madhe të çantave të fëmijve të saj. Zonja Gashi deklaroi për Nacionale se ajo e mban çantën e djalit të saj, që është në klasën e tretë, për shkak të rëndesës së madhe që ka.

Tutje, ajo tha se në shkollën ku vijon mësimin djali i saj, nuk ka dollape të librave, ku do të mund të vendoseshin librat, duke ia lehtësuar barrën nxënësve.

Shpeshherë e përcjelli djalin për në shkollë. E ka çantën shumë të rëndë. Gjithëherë ia mbajë unë sepse mund të them se dhjetë kilogram peshon ajo çantë. Shumë e rëndë për të. Edhe vet ankohet shpesh më thotë "Mam mu kanë vizatu kaishat e çantës në krah" prej peshës së rëndë. Në shkollë ky djali i vijon mësimet nuk ka rafte në të cilat mund t'i vendosin të paktën disa prej librave. Edhe si këshill i prindërve ne jemi anku për ketë problematikë”, ka thënë Gashi për Nacionale.

Çështje problematike

Njohësi i Arsimit, Rinor Qehaja, deklaroi se një hulumtim i Institutit EdGuard, tregon se pesha e çantave të fëmijëvë të ciklit të ulët tejkalon kufizimin e këshillueshëm prej 10% të peshës së trupit.

Sipas tij, një gjë e tillë është shqetësuese veçanërisht kur dihet grup mosha e fëmijëve.

Nga hulumtimi i Institutit EdGuard të para disa vitesh rezulton që pesha e çantave tek fëmijët të ciklit të ulët tejkalon kufizimin e këshillueshëm prej 10% të peshës së trupit, kjo është shqetësuese veçanërisht kur dihet grup mosha e fëmijëve. Pesha e çantës mund të shkaktoj dhembje momentale dhe lodhje tek fëmijët, për rrjedhojë edhe shpërqendrimin e tyre gjatë procesit mësimor - fatmirësisht pesha e çantave nuk ka ndonjë ndikim afatgjatë në shëndetin e fëmijëve”, ka thënë Qehaja për Nacionale.

Tutje, Qehaja ka thënë se për të eliminuar dhimbjet spontane, fëmijët duhet të përdorin qantë me rrota, duke shtuar se MASHT-i duhet të rishikojë përmbajtjet dhe të bëjë investime në infrastrukturë.

“Për të eliminuar dhimbjet spontane që fëmijët mund të kenë nga pesha e çantave, sugjerohet, që mbi të gjitha të përdorin çantë me rrota; të kujdesen që tekstet shkollorë që bartin në çantë të jenë ato të orarit ditor dhe jo më shumë; nëse ka dollapë, tekstet të lihen në shkollë; të ndihmohen nga prindërit/ kujdestari në bartje etj. Këto si masa të përkohshme, kurse në nivel të politikash, ngelet që MASHT të ndërhyj në korrigjim të teksteve shkollore, duke rishikuar përmbajtën e tyre si dhe investime në infrastrutkturë, dhe krijimit të mundësive për hapësira të reja në shkollë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Dija Krasniqi, anëtare e shoqërisë civile, i tha Nacionales se në një hulumtim të saj, të pyetur se çfarë do të ndryshonin, fëmijët u përgjigjën se do të dëshironin t’i ndryshonin çantat.

Ka një kohë të gjatë që punoj me OJQ dhe me fëmijë një hulumtim e kam bërë edhe para 2 viteve, i kemi pyet fëmijët çka kishin ndryshu në shkollë, 90% janë anku për qantat se shkollat nuk kanë dollape e tash po e shoh prap që është problemi e njejtë”, ka thënë zonja Krasniqi.

Si mund të zgjidhet ky problem?

Deputetja e LDK-së, njëkohësisht edhe anëtarja e Komisionit për Arsim, Vlora Dumoshi, ka thënë se pesha e çantës që bartin nxënësit e klasave të ulëta, është problem që po i përcjellë ata tash e disa vite. Ajo ka thënë se prej ngarkesës së madhe që bartin, nxënësit në krahasim me moshën që kanë, po ballafaqohen edhe me dhimbje të boshtit kurrizor.

Sipas mjekëve, peshat e rënda mbi shpinë, bëjnë që nxënësit e shkollave fillore të rrezikohen nga skolioza, sëmundje e cila shkakton deformim të shtyllës kurrizore. Problemi është tek numri i madh i teksteve pasi për një lëndë janë tri deri në katër libra dhe për një detyrë shtëpie nxënësi detyrohet të marrin shumë libra me veti”, ka thënë Dumoshi.

Ajo ka thënë se kjo duhet te rishikohet nga ekspertet e arsimit, pasi sipas saj është më mirë të sigurohen dollapa për fëmijët në shkolla në mënyrë që ata të mos i bartin materialet shkollore çdo ditë.

Cdo Komunë duhet të investoj në dollapa të klasave që fëmijët të kenë mundësi t’i vendosin librat dhe mos t’i bartin ato çdo ditë se me ketë rast edhe prindërit po duhet të angazhohen për përcjelljen e fëmijëve në shkollë për t’ia mbajtur çantat”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Ndërsa ortopedi Nderim Salihaj ka thënë se pranojnë shpesh raste të tilla ku fëmijët ankohen për pesha të rënda që bartin në çantë në shkolla.

Ai në një prononcim për Nacionale ka thënë se pesha e lejuar në çanta për nxënësit është 10 ose 15 për qind e peshës trupore.

Ortopedi Salihaj ka thënë se nëse fëmija peshon 20 kilogram, atëherë pesha e lejuar që mund t’ë bartë duhet të jetë 2 kilogram.

Mundësia më e mirë për evitimin e peshave të rënda për fëmijët është përdorimi i qantave levizëse. Pesha e lejuar për fëmijë është maximu 10 deri në 15 për qind e peshës trupore të nxënësit. Pra nëse nxënësi peshon 20 kilogram pesha e lejuar e çantës është 2 kilogram. Bartja e peshave të rënda është një prej faktorëve dispozues për probleme të boshtit kurrizor, ka edhe shumë probleme të tjera që ndikojnë në deformimin e boshtit kurrizor”, ka thënë Salihaj për Nacionale.

Lajme të ngjashme