Dallimet gjinore në arsim: “Nuk të vynë shkolla sen, kur s’ki burrë”
“Ani, çka ka lidhje që ke diplomu, unë kom fëmijë, ti s’ki!"
“Nuk të vynë shkolla sen, kur s’ki burrë.”
“Pse po kryn shkollë, se prapë pa punë ke me mbetë, ma mirë gjeje ni djalë me letra e siguroje jetën.”
“Krejt njerëzit qeshin, çika e filanit ngeli, e hala po shkojka në shkollë.”
Edhe pse viteve të fundit është rritur numri i grave të arsimuara dhe të ngrituar profesionalisht, ato vazhdojnë të përballen ende me sfida të shumta në mjedisin ku jetojnë. Dallimet gjinore në arsim janë një lloj diskriminimi gjinor në sistemin arsimor ndaj burrave dhe grave përgjatë dhe pas rrugëtimit arsimor. Integrimi i grave në arsim është treguesi kryesor i zhvillimit social dhe ekonomik të një vendi.
Arsimi i grave redukton varfërinë nga një brez në tjetrin, dhe rritë kapacitetin dhe potencialet e tyre për të kontribuar në aspektet sociale, eksonomike..., të zhvillimit kombëtar të vendit.
Nacionalja ka kontaktuar me Shkurta Bajramin (punëtore sociale), lidhur me këtë çështje, ajo na ka treguar jo vetëm si punëtore sociale, por që edhe vetë ka hasur vështirësi të tilla në komunitetin kosovar.
Çfarë mendon rreth suksese të grave, cili është çelësi i arritjeve të tyre?
Mendoj që vullneti dhe dashuria për atë që ti don me arritë. Unë prej fëmijërisë e kam mendu veten si një femër e suksesshme, e pavarur, dhe kam punu shumë për me arritë këtë. Dashuria për librat, shkollën, ma ka mundësu me i përfundu me sukses studimet.
A ke hasur në vështirësi gjatë rrugëtimit arsimor?
Nuk mundem me thanë që ky rrugëtim ka qenë edhe i lehtë, për shkak se kam pasë edhe shumë paragjykime. Tu e ditë mentalitetin shqiptar, jam perballë me shumë mendime të kundërta me atë që unë kam vepru. Mendimi që femrat duhet me iu përkushtu më shumë familjes, shtëpisë..., ka ndiku që shumë njerëz me më pa me një sy ma ndryshe. Kjo ka pasur ndikim te unë, por nuk më ka ndalu me vazhdu me ndjekë andrrën time.
A të ka penguar fakti që je ndier e paragjykuar?
Të them të drejtën, kur kam fillu, unë kam pritë që kam me u përballë me të tilla paragjykime, se shoqnia jonë këto i ka pasë gjithë jetën, dhe me personat ma të vjetër nuk jam befasu edhe shumë. Por kur edhe prej të rinjve dëgjon shprehje të tilla, është shqetësuese se kjo tregon që nuk jemi duke punu me i parandalu këto.
A mund të na tregosh ndonjë rast konkret?
Në mesin e shumë urimeve për diplomim e dëgjoj edhe fjalinë "Ani çka ka lidhje që ke diplomu, unë kom fëmijë, ti s’ki". D.m.th. në shoqërinë tonë është më e rëndësishme martesa, lindja e fëmijëve e përkushtimi për punët e shtëpisë, sesa pavarësimi e suksesi profesional. Unë nuk e mohoj faktin që është i rëndësishëm krijimi i familjes, prezenca e një partneri në jetë, por mendoj që prioritet duhet me qenë pavarësimi i vetes. Ose, raste të tjera kur pyetesh "Pse po kryn shkollë, se prap pa punë ke me mbetë, ma mire gjeje ni djalë me letra e siguroje jetën"… shkolla nuk përfundohet veç për një vend pune, mendoj unë.
Cila ishte përgjigjja jote rreth këtyre?
Pa dyshim që jam mundu me ua tregu atë që thashë ma herët, që shkolla nuk përfundohet veç për një vend të punës, po prej shkollës arin me marrë edhe shprehi e dije se qysh ki me vazhdu jetën më tutje. Unë kam thënë gjithmonë, edhe nëse nuk punësohem, mjafton që në një të ardhme kam me ditë me i eduku pasardhësit, nuk kam me leju që në familjen time me pasë mentalitet të prapambetur.
E di që momentalisht ju jeni e punësuar, në aspektin profesional a hasni të tilla paragjykime?
Po, edhe tash pasi jam punësu hasi në pargjykime, një që është më i shpeshtë është fakti që nuk jam punësu në institucion publik, d.m.th. nuk vlerësohet sektori privat, arritje tek ne është vetëm nëse je punësu në “punë të shtetit”.
Nacionalja ka kontaktuar edhe me një person që dëshiron të jetë anonim. Ai tha:
Shoqja ime e klasës kishte mbetur në provim në klasën e 11-të. Prindërit e saj ia ndaluan shkollimin. Ne kemi shkuar e gjithë klasa që t’i thonim babait të saj ta lejonte shoqën tonë të vinte në shkollë. Babai i saj na tha: ‘jo, se krejt njerëzit qeshin, çika e filanit ngeli, e hala po shkojka në shkollë’.
Kjo do të thotë që as shkollën e mesme nuk ka arritë ta përfundonte?
Po, vetëm klasën e 10-të e ka kry. Ajo tashmë është e martuar.
Kjo është një temë më e thellë, sepse në shoqëritë kosovare ekzistojnë ende familje patriarkale, ku babai vendos për vajzën e tij, shkollim, martesën, dhe komplet jetën e saj.