Shtesat për fëmijët, i vetmi premtim i Kurtit që u realizua plotësisht
Nga gjithë premtimet e shumta që ka bërë kryeministri Albin Kurti, dikur si opozitar, i vetmi që është realizuar plotësisht është ai për shtesa të fëmijëve. Që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, fëmijët deri në moshën 16 vjeçare mund të jenë përfitues e shtesave prej 10 e 20 eurove, varësisht nga mosha e tyre.
Në fakt, Kurti edhe gjatë prezantimit të programit qeveritar për mandatin e tij 4-vjeçar, kishte ndarë 45 milionë euro shtesa për fëmijë apo shtesa për lehonat, të cilat janë po ashtu përfituese të projekteve të mirëqenies sociale të propozuara nga Qeveria Kurti II.
“Do të fillojmë zbatimin e programit të shtesave për fëmijët. Fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove në muaj, ndërsa fëmijët nën moshën 16 vjeçare, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj. Do të ndryshojmë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, në atë mënyrë që të dy prindërit ta kenë këtë mundësi. Për nënat e papuna, do të paguajmë pagën minimale prej 250 euro, për 6 muajt e pushimit të lehonisë”, pati thënë Kurti teksa ka prezantuar programin qeveritar 2021-2025.
Ndonëse shpesh u kritikuan për shumën jo aq të mjaftueshme financiarisht, kjo është hera e parë që ndahen shtesa për fëmijë nga shteti. Ndërsa, në buxhetin e miratuar në Kuvend, Qeveria Kurti për vitin 2023 ka ndarë 60 milionë euro për shtesa për lehona dhe fëmijë.
Si u komentua ky premtim?
Deputeti i VV-së, Njazi Isaku, ka thënë se Qeveria Kurti po e përmbushë zotimin për shtesat e fëmijëve. Ai me anë të një njofitmi në Facebook ka thënë se të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare mund të përfitojnë nga shtesat mujore për fëmijë.
“Qeveria Kurti po e përmbush zotimin e dhënë për shtesat e fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare.Nga tani e tutje, të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare mund të përfitojnë nga shtesat mujore për fëmijë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, Ministri i Financave, Hekuran Murati, para dy ditësh ka njoftuar se është hapur aplikimi për shtesa edhe për fëmijët në moshën 16 vjeçare.
Ai ka thënë se kanë përmbushur në tërësi njërin nga premtimet kryesore të Qeverisë.
“Dhe, më në fund, përmbushet në tërësi njëri nga premtimet kryesore të Qeverisë sonë. Nga tani e tutje, të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare mund të përfitojnë nga shtesat mujore për fëmijë. Qeveria për Familjet”, ka shkruar Murati në Facebook.
Përparim Kryeziu, nëpërmjet një postimi në Facebook ka njoftuar se në buxhetin e ndarë për vitin 2023, 60 milionë euro janë për shtesa për lehona dhe fëmijë.
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, u “pa” i lumtur me përmbushjen e këtij zotimi, duke shkruar në Facebook se “zotimi i dhënë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 20221” për shtesat e fëmijve është përmbushur në tërësi.
“Përmbushet në tërësi zotimi i dhënë në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021:
Hapet aplikimi për shtesa për fëmijë deri në moshën 16 vjeçare.” – shkroi ai ditë më parë.
Por Manxhuka në qershor të vitit 2022, u kishte reguar kritikëve rreth përmbushjes këtij premtimi.
Ai me anë të një postimi në Facebook, pati thënë se lehona ka pasur edhe kur të tjerët kanë qeverisur, duke thënë se askush nuk i ka ndihmuar.
"Lehona ka pasur edhe para se te behet Kurti Kryeminister. Ku keni qene? Pse nuk keni ndihmuar nenat qe lindin femije? Pse nuk keni bere shtesa per femije? 20 vjet ka pasur lehona por askush nuk i ka ndihmuar dhe tash krejt cfare propozohet eshte 3 muaj + 3 muaj. Kjo eshte papergjegjesi, sepse i bie se do te jetojme 3 muaj eventualisht edhe 3 te tjere. Qeverisja eshte gje serioze." Kryeministri Kurti, per alternativen e propozuar nga LDK”, ka shkruar Manxhuka me 30 qershor 2022.
Kritika e rrallë e Pozharit
Analisti, Xhevdet Pozhari, e ka cilësuar si shaka ndarjen e shtesave prej 10 e 20 euro për fëmijë. Me anë të një postimi në Facebook, ai ka krahasuar shtesat që ndahen edhe në vendet e tjera si Gjermani, dhe vendet e rajoni duke thënë se efekti i këtij vendimi është zero.
“Tash, përllogariteni vet se çfarë hajgare ka bërë Hekuran Murati me shtesat në vlerë prej 10 eurove për fëmijë. Nga një Qeveri me pushtet absolut është pritur më shumë, veçanërisht në rrethana kur Kosova po boshatiset, ndërsa ka rënë ndjeshëm edhe numri i popullatës. Efekti i këtij vendimi është ZERO”, ka shkruar Pozhari në Facebook.
Por kritika ndaj Muratit kishte edhe nga opozita. Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, në një postim në Facebook pati thënë se 200 fëmijë marrin shtesa nga 10 euro në muaj, ndërkohë që 318 mijë fëmijë të tjera nuk patën filluar mësimin akoma.
“200 mijë fëmijë marrin shtesa nga 10 euro/muaj, derisa 318 mijë fëmijë nuk po mbajnë mësim nga 1 shtatori i këtij viti”, ka shkruar Bajrami.

